Të “tredhësh” artin politik përmes krenarisë kombëtare Teksa dëgjon prej thuajse një

Të “tredhësh” artin politik përmes krenarisë kombëtare Teksa dëgjon prej thuajse një

Pikat kryesore

  • Është një imazh i fuqishëm për t’u sjellë në një skenë mainstream si ajo e Sanremo-s dhe për këtë, meriton natyrisht që të duartrokitet.
  • Nga ana tjetër, kënga ka mjaft elemente që, personalisht, më duken shqetësuese.
  • Për të qenë i sinqertë, “Stella Stellin” është një këngë e bukur, ndoshta më shumë seç duhet.

Teksa dëgjon prej thuajse një jave këngën e muzikantit italian me origjinë shqiptare, Ermal Meta, “Stella Stellina” të luajtur thuajse kudo në Tiranë, është gati-gati e pamundur të mos mendosh për këtë aftësi të veçantë që duket se kemi krijuar për të duartrokitur gjestet politike, pa prekur për asnjë moment politikën brenda tyre. Është një imazh i fuqishëm për t’u sjellë në një skenë mainstream si ajo e Sanremo-s dhe për këtë, meriton natyrisht që të duartrokitet. Nga ana tjetër, kënga ka mjaft elemente që, personalisht, më duken shqetësuese. Për të qenë i sinqertë, “Stella Stellin” është një këngë e bukur, ndoshta më shumë seç duhet. Ka një melodi dhe strukturë tejet të ëmbël, aq sa mund ta fishkëllesh me kënaqësi teksa kthehesh nga puna për në shtëpi, ose mund të vallëzosh me të gjatë një pasditeje të zakonshme. Dhe ndoshta pikërisht ky është problemi. Është një këngë shumë e bukur, por genocidi, vrasja e fëmijëve dhe bombardimet e civilëve nuk janë aspak harmonike. Nxjerrja e trupave të fëmijëve nga rrënojat e shtëpive nuk është diçka lirike. Dilema, nëse është etike të estetizosh tragjedi të këtyre përmasave, nuk është e re në botën e artit dhe të muzikës. Në fakt, ajo të kujton një tjetër debat: atë rreth filmit të njohur, “Lista e Shindlerit”, të Steven Spielberg, që është ndoshta një nga filmat më të lavdëruar dhe më të kritikuar njëkohësisht rreth Holokaustit. A është etike dhe e drejtë moralisht të përdorësh konvencionet e industrisë (në rastin e “Shindlerit” ato të kinemasë dhe Hollyëood-it dhe në rastin e “Stella Stellina” ato të industrisë muzikore) – mekanizma të krijuara për të ngushëlluar apo kënaqur emocionalisht – kur krijon një vepër artistike rreth një genocidi që ka ndodhur dhe në rastin e Gazës vazhdon të ndodhë para syve tanë? Në rastin e “Shindlerit,” regjisori gjerman Michael Haneke shprehej se, zgjedhje të tilla formale, rrezikojnë ta shndërrojnë një katastrofë historike në diçka të kapërdishme dhe të konsumueshme për shumicën e njerëzve. Shikuesi, pasi ka qarë dhe është emocionuar, del nga kinemaja i çliruar falë katarsisit që ka përjetuar për një orë e gjysmë apo dy në sallën e errët. Por, kur është fjala për katastrofa të tilla, nuk do duhej të flisnim kurrë për katarsis. Megjithatë, kënga e Metës është në italisht, e performuar në një spektakël italian, dhe për rrjedhojë, ky debat nuk na përket ne. Shqetësimi im nuk është të gjykoj legjitimitetin artistic të saj. Ajo çfarë më intereson, në fakt, është se çfarë ndodh më pas, se si në momentin që kënga hyn në hapësirën shqiptare, i gjithë tensioni etik bie, ndërsa një tjetër mekanizëm hyn në veprim.

Lini një Përgjigje