Pikat kryesore
- Veprimet janë ndërmarrë me urdhër të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit.
- Sipas SPB Tetovë, dyshohet se Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi”, bashkë me Komunën e Gostivarit, ka vendosur tre pompa në shtratin e ujërave të ndotura.
- Përmes tyre, sipas dyshimeve, ujë është dërguar drejtpërdrejt në gypin kryesor të furnizimit të qytetit.
Inspektorët e Zyrës së Jashtme për Punë Kriminalistike në Gostivar kanë dalë dje, më 16.07.2026, në fshatin Vërtok, ku rreth orës 18:20 kanë nisur veprime urgjente në terren lidhur me dyshimet për ndotje të ujit që furnizon qytetin e Gostivarit. Veprimet janë ndërmarrë me urdhër të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit. Sipas SPB Tetovë, dyshohet se Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi”, bashkë me Komunën e Gostivarit, ka vendosur tre pompa në shtratin e ujërave të ndotura. Përmes tyre, sipas dyshimeve, ujë është dërguar drejtpërdrejt në gypin kryesor të furnizimit të qytetit. Njoftimi i SPB Tetovë thekson se veprimi dyshohet të jetë kryer për të shtuar presionin në rrjet, për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, duke vënë në rrezik të drejtpërdrejtë shëndetin e banorëve të Gostivarit. Policia njofton se po zhvillohen të gjitha procedurat e nevojshme për sqarimin e plotë të rastit, nën dyshimin për veprën penale “Ndotja e ujit të pijshëm”, e cila parashihet dhe dënohet me nenin 219 të Kodit Penal. Përveç policisë dhe prokurorisë, në procedurën hetimore janë angazhuar edhe Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor dhe një ekspert i licencuar. Ky i fundit do të bëjë vlerësimin profesional të sistemit që dyshohet se është vendosur në mënyrë të kundërligjshme.