Pikat kryesore
- SPAK shton akuzat ndaj Belinda Ballukut dhe i kërkon Kuvendit autorizim për ta arrestuar/ “Në Shënjestër”: Rama kapet në befasi, ende pa një zgjidhje…
- Rama nuk e fshehu gëzimin një ditë më parë kur doli në podkastin e tij dhe foli triumfalisht për “patllaket” e BKH-së dhe shkeljet e etikës së oficerëve.
- Megjithatë, SPAK nuk është se u intimidua shumë nga këto cic-mice të Edi Ramës dhe, ende pa u tharë boja e këtij vendimi të shumëdiskutuar, Prokuroria e Posaçme bëri lëvizjen e radhës.
SPAK shton akuzat ndaj Belinda Ballukut dhe i kërkon Kuvendit autorizim për ta arrestuar/ “Në Shënjestër”: Rama kapet në befasi, ende pa një zgjidhje… Emisioni “Në Shënjestër” në News24, me autore Klodjana Lala, këtë të martë diskutoi me një panel ekspertë dhe gazetarë, ecurinë e zhvillimeve që pritet të ndodhin pas kërkesës që SPAK i drejtoi Kuvendit për dhënie autorizimi për arrestimin e Belinda Ballukut, ku duket se Rama është gjendur në befasi. Rama nuk e fshehu gëzimin një ditë më parë kur doli në podkastin e tij dhe foli triumfalisht për “patllaket” e BKH-së dhe shkeljet e etikës së oficerëve. Megjithatë, SPAK nuk është se u intimidua shumë nga këto cic-mice të Edi Ramës dhe, ende pa u tharë boja e këtij vendimi të shumëdiskutuar, Prokuroria e Posaçme bëri lëvizjen e radhës. Ajo kërkoi në Kuvend leje për të arrestuar Belinda Ballukun, gruan më të pushtetshme në qeveri në këto 30 vjet demokraci. Kjo ndodhi pikërisht një ditë pasi zonja Balluku u shfaq në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, pas një mungese të gjatë, që kur i nisën hallet me drejtësinë shqiptare. “Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit: Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në shkresën e SPAK drejtuar Kuvendit. Por ndryshe nga më parë, kur numri dy i qeverisë ishte e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për tenderin loti 4 Unaza e Madhe, SPAK njoftoi se po e heton Belinda Ballukun edhe për disa procedura të tjera, çka e rëndon ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë. E se i duhet leje për ta arrestuar, për të ndaluar të besuarën e Edi Ramës që të prishë provat e frikësojë dëshmitarët. “Shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt: “Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”; “Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”; “Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”; “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”; “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, thuhet në kërkesën e SPAK. Kërkesa prokurorëve të posaçëm ngjan se kapi në befasi shefin e qeverisë, i cili u zotua se për këtë kërkesë do të mbajë qëndrim të denjë e të drejtë. “Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht. Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special. Ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”, u shpreh Rama. Se sa do të zgjasin këto halle të mazhorancës, pakkush di ta thotë me siguri. E sigurt është që Edi Rama ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare se çfarë do të bëjë me fatin e Belinda Ballukut: do ta votojë heqjen e mandatit apo do ta ruajë deri në fund të besuarën e tij? loading…