
Lufta kundër korrupsionit po shtrihet edhe në botën akademike. Prokuroria e Posaçme (SPAK), e cila deri më tani ka vënë në pranga mbi 135 zyrtarë dhe ka qindra të tjerë nën hetim, ka nisur të godasë edhe universitetet.
Sipas të dhënave të publikuara në faqen zyrtare të SPAK, janë hapur hetime për 7 pedagogë të dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Nuk dihet ende se për cilat universitete bëhet fjalë, por emrat mund të bëhen publikë sapo të finalizohen hetimet.
Korrupsioni akademik nën lupën e SPAK
Një nga format më të përhapura të korrupsionit në universitete është marrja e parave në këmbim të notave. Pavarësisht reformave, ky fenomen mbetet një problem i madh në arsimin e lartë. Sipas statistikave të SPAK:
• Për periudhën 2021 – 2024, janë kallëzuar 2 pedagogë, ndërsa janë hetuar gjithsej 7.
• Hetimet kanë përfshirë 1 pedagog në vitin 2021, 1 në vitin 2023 dhe 5 pedagogë në vitin 2024.
Përveç korrupsionit me nota, abuzimet në universitete shtrihen edhe tek fondet publike dhe tenderët. Një rast flagrant u regjistrua në Universitetin e Kamzës, ku në vitin 2022 u arrestuan 4 persona pasi u kapën duke vjedhur produktet e destinuara për institucionin.
Edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka zbuluar shkelje të shumta në auditimet e tij, duke treguar se universitetet shpesh shndërrohen në qendra abuzimi financiar.
A do të trembë SPAK abuzuesit?
Me aksionet e fundit, SPAK duket se po zgjeron rrezen e goditjeve, duke i detyruar edhe akademikët të mendojnë dy herë para se të përfshihen në afera. Pritet të shihet nëse këto hetime do të çojnë në arrestime konkrete dhe në një pastrim real të universiteteve nga korrupsioni.