
Tashmë është zyrtare: gjatë vitit 2024, në Shqipëri janë identifikuar 298 bagëti të infektuara me brucelozë. Ky skandal i rëndë nuk ndalet vetëm te prekja e gjedhëve, por edhe te fakti që bruceloza mund të kalojë nga kafshët te njerëzit, duke shkaktuar një rrezik të madh për shëndetin publik.
Sipas ekspertëve, rreziku më i madh qëndron te konsumimi i qumështit dhe nënprodukteve të tij, si dhe i mishit të kontaminuar që nuk është përpunuar termikisht në mënyrë të duhur.
Rritet numri i të infektuarve, përfshirë edhe fëmijët
Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), nga janari deri në nëntor 2024 janë regjistruar 33 raste të personave të infektuar me brucelozë, mes të cilëve edhe fëmijë. Konkretisht, janë raportuar dy raste të fëmijëve 11-vjeçarë dhe dy raste të fëmijëve 12-vjeçarë.
Fillimisht, ky institucion refuzoi të publikonte informacionin mbi numrin e të prekurve, duke e bërë të nevojshme ndërhyrjen e Komisionerit për të Drejtën e Informimit për ta detyruar të zbardhë të dhënat.
Simptomat e rrezikshme të sëmundjes
Bruceloza është një infeksion që mund të shfaqet brenda dy ditësh ose të zhvillohet gradualisht gjatë disa javësh. Simptomat kryesore përfshijnë:
• Temperaturë të lartë;
• Humbje oreksi;
• Dhimbje koke;
• Lodhje ekstreme dhe dobësi të përgjithshme.
Mjekët këshillojnë shmangien e konsumimit të produkteve të bulmetit që nuk janë pasterizuar dhe të mishit të paverifikuar nga autoritetet përkatëse.
Skandali i thertores në Berat dhe reagimi i autoriteteve
Ky nuk është rasti i parë që bruceloza bëhet lajm në Shqipëri. Më herët, një thertore në Berat u zbulua duke nxjerrë në treg mish të infektuar me brucelozë. Skandali u konfirmua fillimisht nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), ndërsa Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ndërhyri duke i pezulluar licencën thertores.
Pas publikimit të rastit, zv. Ministri i Bujqësisë reagoi duke akuzuar mediat për keqinformim. Megjithatë, shifrat dhe faktet tregojnë të kundërtën. Vetëm gjatë vitit 2024, janë identifikuar 298 bagëti të infektuara dhe 33 persona të prekur nga bakteria, përfshirë fëmijë.
A ka produkte të kontaminuara ende në treg?
Një pyetje shqetësuese mbetet ende pa përgjigje: Sa qumësht, gjalpë dhe djathë nga bagëtitë e infektuara ka qarkulluar në treg? Deri më tani, nuk ka transparencë të plotë nga autoritetet mbi gjurmimin dhe asgjësimin e këtyre produkteve.
Ky skandal duhet të shërbejë si një alarm për institucionet përgjegjëse, të cilat duhet të ndërmarrin masa urgjente për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.