Pikat kryesore
- “Përmbushja e kushteve të BE nuk është thjesht objektiv, por prioritet i padiskutueshëm për të cilin duhet të angazhohen të gjithë.
- AKU ka një rol thelbësor dhe shkon përtej detyrimit institucional; është një rol që lidhet me shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.
- Siguria ushqimore nuk është thjesht standard teknik, por lidhet me shëndetin dhe besimin e qytetarëve”, tha ajo.
Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Ushqimit, Blerina Gjylameti, theksoi rëndësinë e sigurisë ushqimore si një prioritet kombëtar dhe përgjegjësi e përbashkët në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian. Gjatë një takimi me operatorët e biznesit ushqimor, Gjylameti deklaroi se përmbushja e kushteve të BE-së nuk është thjesht një objektiv, por një angazhim i padiskutueshëm që lidhet drejtpërdrejt me shëndetin dhe besimin e qytetarëve. “Përmbushja e kushteve të BE nuk është thjesht objektiv, por prioritet i padiskutueshëm për të cilin duhet të angazhohen të gjithë. AKU ka një rol thelbësor dhe shkon përtej detyrimit institucional; është një rol që lidhet me shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve. Siguria ushqimore nuk është thjesht standard teknik, por lidhet me shëndetin dhe besimin e qytetarëve”, tha ajo. Gjylameti bëri të ditur se është hapur procesi i vlerësimit dhe kategorizimit të stabilimenteve ushqimore në katër sektorët kryesorë: mish, qumështi dhe nënproduktet e tij, vezët dhe peshku, si dhe ushqimi për kafshë. “Kemi çelur procesin e vlerësimit dhe kategorizimin e stabilimenteve në katër sektorë: mishit, qumështit dhe nënprodukteve të tij, vezëve dhe peshkut, si dhe ushqimit për kafshë. Ky proces zhvillohet për herë të parë në vendin tonë dhe do të diskutohen në tryeza detyrimet që duhen përmbushur për anëtarësimin në BE”, u shpreh Gjylameti. Ajo theksoi se sfidë mbetet rritja e standardeve të stabilimenteve ushqimore, pasi në rast të mos përmbushjes së tyre, rrezikohet që këto biznese të mbeten jashtë tregut në momentin e anëtarësimit. “Kemi edhe sfida, siç është rritja e standardeve të stabilimenteve ushqimore dhe përmbushja e tyre në momentin e duhur, pasi rrezikojnë të mbeten jashtë tregut në momentin e anëtarësimit. Do të kemi një plan konkret për mbështetjen financiare. Do të konsolidojmë kuadrin ligjor të sektorit të mishit dhe thertoreve, duke garantuar gjurmueshmërinë e plotë dhe shmangien e rrezikut për kontaminim. Do të ndërtojmë një sistem transparent, të matshëm dhe të drejtë. Siguria ushqimore dhe besimi i qytetarëve është në fokus të gjithë këtij sistemi dhe përmbushjes së standardeve për anëtarësimin në BE”, tha ajo.