Pikat kryesore
- Friedman, The New York Times Për të menduar qartë për luftërat në Lindjen e Mesme, duhet të mbash disa mendime në kokë në të njëjtën kohë.
- Është një rajon i ndërlikuar, kaleidoskopik, ku feja, nafta, politika fisnore dhe politika e fuqive të mëdha ndërthuren në çdo histori madhore.
- Pra, ja katër mendimet e mia për Iranin, të paktën sa për tani.
Nga Thomas L. Friedman, The New York Times Për të menduar qartë për luftërat në Lindjen e Mesme, duhet të mbash disa mendime në kokë në të njëjtën kohë. Është një rajon i ndërlikuar, kaleidoskopik, ku feja, nafta, politika fisnore dhe politika e fuqive të mëdha ndërthuren në çdo histori madhore. Nëse po kërkoni një narrativë bardh e zi lodheni kot. Pra, ja katër mendimet e mia për Iranin, të paktën sa për tani. Së pari, shpresoj që kjo përpjekje për të rrëzuar regjimin klerikal në Teheran të ketë sukses. Është një regjim që vret popullin e vet, destabilizon fqinjët dhe ka shkatërruar një qytetërim të madh. Nuk ka asnjë ngjarje të vetme që do të bënte më shumë për ta vendosur të gjithë Lindjen e Mesme në një trajektore më të denjë dhe gjithëpërfshirëse sesa zëvendësimi i regjimit islamik të Teheranit me një udhëheqje të përqendruar ekskluzivisht në mundësimin që populli i Iranit të realizojë potencialin e tij të plotë me një zë real në të ardhmen e vet. Së dyti, kjo nuk do të jetë e lehtë, sepse ky regjim është thellësisht i rrënjosur dhe vështirë se mund të rrëzohet vetëm nga ajri. Izraeli nuk ka arritur të eliminojë Hamasin në Gaza pas më shumë se dy vitesh lufte të pamëshirshme ajrore dhe tokësore, dhe Hamasi është mu aty ngjitur. Megjithatë, edhe nëse ky sulm SHBA-Izrael ndaj Iranit nuk çon në kryengritjen e popullit iranian që Presidenti Trump ka kërkuar, ai mund të ketë efekte të tjera, të paparashikuara, të dobishme, si prodhimi i një Republike Islamike 2.0 që është shumë më pak kërcënuese për popullin dhe fqinjët e saj. Por po aq lehtë mund të rezultojë në rreziqe të paparashikuara, si shpërbërja e Iranit si një entitet i vetëm gjeografik. Së treti, duhet të kujtojmë se koha e përfundimit të kësaj lufte do të përcaktohet po aq nga tregjet e naftës dhe tregjet financiare sa edhe nga gjendja ushtarake brenda Iranit. Irani është në prag të kolapsit ekonomik, me një monedhë që vlen pak më shumë se një letër muri. Europa është bërë shumë më e varur nga gazi natyror i lëngshëm nga Gjiri Persik për të drejtuar ekonomitë e saj, pasi ka hequr gradualisht blerjet e gazit natyror nga Rusia. Një shpërthim i zgjatur inflacioni i shkaktuar nga çmime më të larta të energjisë do të zemëronte bazën e Trump, shumë prej të cilëve tashmë nuk e pëlqejnë të tërhiqen në një tjetër luftë në Lindjen e Mesme. Ka shumë njerëz që do të duan që kjo luftë të jetë e shkurtër, dhe kjo do të ndikojë se si dhe kur Trump dhe Teherani do të negociojnë. Së katërti, nuk duhet të lejojmë që kjo luftë për të sjellë demokraci dhe shtetin e së drejtës në Iran të na shpërqendrojë nga kërcënimet ndaj demokracisë dhe shtetit të së drejtës që paraqiten nga Trump në Amerikë dhe nga Kryeministri Benjamin Netanyahu në Izrael. Trump dëshiron të promovojë këto ideale në Teheran, ndërkohë që agjentët e tij të ICE (policisë se kufirit) operuan për dy muaj me respekt të kufizuar për kufizimet ligjore në shtetin tim, Minesota. Nëse lufta në Iran i mundëson Netanyahut të fitojë zgjedhjet izraelite të planifikuara për këtë vit, ajo do të jetë një shtysë e madhe për përpjekjet e tij për të aneksuar Bregun Perëndimor, për të gjymtuar Gjykatën Supreme izraelite dhe për ta bërë Izraelin një shtet aparteidi, gjë që do të ishte një goditje e madhe për interesat amerikane në rajon përtej Iranit. Jeta si opinionist do të ishte e lehtë nëse çdo luftë për të cilën duhet të mbaje qëndrim do të ishte Lufta Civile Amerikane dhe çdo lider do të ishte Abraham Lincoln. Por nuk janë, kështu që le të hyjmë pak më thellë në këto katër mendime për Iranin. Nëse do të dëgjonit të majtën universitare vitet e fundit këto që po iu them nuk do i dinit kurrë. Republika Islamike e Iranit ka qenë fuqia më e madhe imperialiste në rajon që nga viti 1979, duke kultivuar përfaqësues për të kontrolluar katër shtete arabe, Sirinë, Libanin, Irakun dhe Jemenin, dhe duke minuar reformatorët liberalë në të katërta duke promovuar ndarje sektare.