Shqiptarët “braktisin” Dubain, lufta ul ndjeshëm prenotimet për vizita turistike

Shqiptarët “braktisin” Dubain, lufta ul ndjeshëm prenotimet për vizita turistike

Lufta në Lindjen e Mesme frenon pushimet e shqiptarëve drejt Dubait

Planet për pushime të shumë shqiptarëve janë pezulluar papritur për shkak të tensioneve dhe luftës në rajonin e Lindjes së Mesme. Destinacione të njohura si Dubai dhe Abu Dhabi, që prej vitesh janë ndër zgjedhjet më të preferuara për turistët shqiptarë, po përballen me rënie të ndjeshme të kërkesës.

Sipas operatorëve turistikë, një pjesë e mirë e fluturimeve janë anuluar, ndërsa shumë udhëtarë kanë kërkuar rimbursime ose kanë vendosur të shtyjnë pushimet për një moment më të sigurt.

“Një pjesë e mirë e fluturimeve janë anuluar. Disa kanë kërkuar rimbursime pasi kanë frikë të udhëtojnë në këto momente, disa të tjerë i kanë shtyrë pushimet për një moment tjetër. Por po shohim që rezervimet kanë mbetur pezull dhe nuk ka shumë kërkesa për momentin për Lindjen e Mesme”, u shpreh operatorja turistike Fjorinda Zani.

Destinacionet në United Arab Emirates zënë një peshë të konsiderueshme në prenotimet e turistëve shqiptarë, veçanërisht për shkak të popullaritetit të tyre në vitet e fundit.

“Zënë një pjesë shumë të madhe, pasi rezervimet nga këto vende po shtoheshin. Kjo situatë na prish shumë punë dhe janë ulur si rezervimet, ashtu edhe të ardhurat e biznesit”, shtoi Zani.

Për shkak të rënies së kërkesës, agjencitë turistike janë detyruar të përshtatin edhe ofertat e paketave turistike.

“Për momentin çmimet e paketave kanë mbetur pothuajse njësoj, madje në disa raste edhe janë ulur, por njerëzit nuk po interesohen”, theksoi ajo.

Ndërsa pasiguria në rajon vijon, agjencitë turistike presin që këtë sezon shqiptarët të orientohen më shumë drejt destinacioneve europiane, duke lënë përkohësisht në plan të dytë udhëtimet drejt vendeve të Gjirit Persik.

Lini një Përgjigje