Pikat kryesore
- Kuvendi u mblodh dje në seancën plenare të radhës ku u miratuan katër projektligje, një akt normativ dhe gjashtë projektvendime.
- Seanca plenare nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-Kryetarit të Kuvendit, z.
- Më pas u miratua procesverbali i seancës plenare të datës 04.05.2026 ndërsa Kryetari i Kuvendit, z.
Kuvendi u mblodh dje në seancën plenare të radhës ku u miratuan katër projektligje, një akt normativ dhe gjashtë projektvendime. Seanca plenare nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-Kryetarit të Kuvendit, z. Servet Pëllumbi, pas ndarjes së tij nga jeta. Më pas u miratua procesverbali i seancës plenare të datës 04.05.2026 ndërsa Kryetari i Kuvendit, z. Niko Peleshi, bëri të ditur rendin e ditës dhe njoftimet përkatëse. Seanca nisi punimet me zhvillimin e interpelancës së kërkuar me Kryeministrin z. Edi Rama nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike e cila iu delegua Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Erjona Ismaili dhe me interpelancën me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Më pas u zhvillua një seancë pyetje-përgjigje me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, z. Blendi Gonxhja, kërkuar nga deputetja e opozitës, znj. Ina Zhupa. Pika e radhës në rendin e ditës ishte Akt normativ nr. 1, datë 3.4.2026, “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar”, i cili u prezantua nga Ministri i Financave, z. Petrit Malaj. Akti normativ u miratua me 85 vota pro, 25 vota kundër dhe 0 abstenim. Punimet plenare vijuan me diskutimin e Projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 9/2024”, i cili u prezantua nga Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, znj. Erjona Ismaili. Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u miratua me 108 vota pro, 0 vota kundër dhe 1 abstenim. Pika e radhës në rendin e ditës ishte Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 113/2020, “Për shtetësinë”, të ndryshuar”, i cili u prezantua nga nismëtari z. Taulant Balla. Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u miratua me 85 vota pro, 25 vota kundër dhe 0 abstenim. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë””, u prezantua nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj. Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u miratua me 85 vota pro, 25 vota kundër dhe 0 abstenim. Projektligji “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”, u prezantua nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj. Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u miratua me 85 vota pro, 24 vota kundër dhe 0 abstenim. Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar”, u prezantua nga deputeti i Partisë së Lirisë, z. Tedi Blushi. Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u rrëzua me 82 vota kundër, 26 vota pro dhe 0 abstenim. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, i ndryshuar”, u rrëzua me 85 vota kundër, 25 vota pro dhe 0 abstenim. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, u rrëzua me 85 vota pro, 25 vota pro dhe 0 abstenim. Projektligji “Për mekanizmin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe çmimeve të lëndës djegëse”, u prezantua nga nismëtari z. Enno Bozdo. Pas diskutimeve, projektligji në fjalë u rrëzua me 84 vota kundër, 25 vota pro dhe 0 abstenim. Seanca plenare votoi edhe shtatë projektvendime, më konkretisht; Projektvendimi “Për zgjedhjen e Komisionerit të Zyrës së Avokatit të Popullit”, me 84 vota pro, 22 vota kundër dhe 0 abstenim. Z. Ahmet Prençi u zgjodh Komisioner i Zyrës së Avokatit të Popullit në Seksionin e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës trajtimit ose dënimit të egër çnjerëzor ose poshtërues. Projektvendimi “Për zgjedhjen e Komisionerit të Zyrës së Avokatit të Popullit”, me 82 vota pro, 26 vota kundër dhe 1 abstenim. Znj. Alma Faskaj u zgjodh Komisionere e Zyrës së Avokatit të Popullit në seksionin për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Fëmijëve. Projektvendimi “Për zgjedhjen e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, me 83 vota pro, 25 vota kundër dhe 0 abstenim. Znj. Genta Tafa u zgjodh Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Projektvendimi “Për zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë”, me 84 vota pro, 23 vota kundër dhe 1 abstenim. Znj. Merita Bejtja u zgjodh Inspektor i Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë. Projektvendimi “Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë”, u rrëzua me 104 vota kundër, 1 votë pro dhe 2 abstenim. Projektvendimi “Për miratimin e listës së audituesve ligjorë, të cilët do të bëjnë auditimin e llogarive financiare për vitet 2024-2025 të Kontrollit të Lartë të Shtetit”, me 105 vota pro, 0 vota kundër dhe 0 abstenim, u zgjodhën znj. Edlira Buzani dhe znj. Rajmonda Reveli. Projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës së Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU)”, u miratua me 84 vota pro, 24 vota kundër dhe 0 abstenim. Seanca plenare i mbylli punimet rreth orës 00:35.