Pikat kryesore
- Qyteti me rritjen më të madhe të rrjetit rrugor është Shkodra, ku gjatësia e rrugëve u shtua me 54.1 km, ose rreth 13% më shumë se në vitin 2014.
- Kjo shtesë erdhi si rrjedhojë e ndërtimit të rrugës së re të Thethit dhe aksit Tamarë-Vermosh.
- Në të njëjtën linjë pozitive renditet edhe Vlora, me rritje prej 50.4 km (+12%), si rrjedhojë e ndërtimit të Bypassit dhe rrugës së Lumit të Vlorës.
Rrjeti rrugor i vendit është pakësuar me rreth 181 kilometër ndërmjet vitit 2014 dhe 2024 si rrjedhojë e riklasifikimit të inventarit rrugor nga amortizimi i lartë i linjave në zonat rurale, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Qyteti me rritjen më të madhe të rrjetit rrugor është Shkodra, ku gjatësia e rrugëve u shtua me 54.1 km, ose rreth 13% më shumë se në vitin 2014. Kjo shtesë erdhi si rrjedhojë e ndërtimit të rrugës së re të Thethit dhe aksit Tamarë-Vermosh. Në të njëjtën linjë pozitive renditet edhe Vlora, me rritje prej 50.4 km (+12%), si rrjedhojë e ndërtimit të Bypassit dhe rrugës së Lumit të Vlorës. Gjithashtu, në Elbasan rrjeti rrugor u zgjerua me 32.5 km ose +9% dhe në Korçë me 24.7 km (+7%). Këto qytete gjithashtu rezultojnë të jenë përfituesit kryesorë të investimeve në infrastrukturë gjatë dekadës së fundit. Në anën tjetër, pjesa më e madhe e bashkive kanë shënuar tkurrje të rrjetit rrugor. Tirana regjistron reduktimin më të madh në vlerë absolute, me 68.6 km më pak rrugë (-22%) ndërmjet viteve 2014-2024. Rënie të fortë kanë pësuar edhe Fieri me -68.2 km (-19%), Lezha me -59.9 km (-19%), Kukësi me -50.1 km (-13%), Durrësi me minus 36.5 km (rënie prej -20%) dhe Dibra me -39.7 km (-14%). Edhe Berati ka pësuar tkurrje me 17.9 km (-10%), ndërsa Gjirokastra ka një rënie më të lehtë prej 2.5 km (-1%). Rënia e gjatësisë së rrjetit rrugor në disa bashki duket paradoksale, sidomos në një periudhë kur në infrastrukturë janë investuar miliarda euro nga Ministria e Infrastrukturës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Kjo shpjegohet me faktin se në dekadën e fundit, një pjesë e madhe e investimeve nuk janë përdorur për të hapur kilometra të rinj, por për të rindërtuar, zgjeruar dhe modernizuar rrugët ekzistuese.