Raportohet për rritje të numrit të protestuesve të vrarë në Iran

Raportohet për rritje të numrit të protestuesve të vrarë në Iran

Pikat kryesore

  • Sipas kësaj organizate, me seli në Norvegji, janë konfirmuar të paktën 192 protestues të vdekur që nga nisja e protestave në Iran më 28 dhjetor, nëntë prej të cilëve ishin nën moshën 18-vjeçare.
  • Kjo organizatë paralajmëroi se ka raportime të pakonfirmuara që lënë të kuptohet se numri i viktimave mund të jetë disa qindra.
  • Sipas vlerësimeve të disa burimeve, numri i të vdekurve është mbi 2.000, shtoi IHRNGO.

Organizata për të Drejtat e Njeriut në Iran (IHRNGO) tha se shtypja e ashpër e protestave në Iran është intensifikuar ndjeshëm dhe se raportet “tregojnë vrasje të përhapura të protestuesve në pjesë të ndryshme të vendit, veçanërisht në Teheran”. Sipas kësaj organizate, me seli në Norvegji, janë konfirmuar të paktën 192 protestues të vdekur që nga nisja e protestave në Iran më 28 dhjetor, nëntë prej të cilëve ishin nën moshën 18-vjeçare. Kjo organizatë paralajmëroi se ka raportime të pakonfirmuara që lënë të kuptohet se numri i viktimave mund të jetë disa qindra. Sipas vlerësimeve të disa burimeve, numri i të vdekurve është mbi 2.000, shtoi IHRNGO. Për shkak të ndërprerjes së plotë të internetit në Iran dhe kufizimeve në qasje deri tek informacionet, IHRNGO theksoi se verifikimi në mënyrë të pavarur i këtyre raportimeve “mbetet sfidë serioze”. Kjo organizatë po ashtu shprehu shqetësim të madh për kërcënimet nga zyrtarët e sistemit gjyqësor të Republikës Islame për të dhënë dënime me vdekje ndaj protestuesve me akuzën e “moharebeh” (luftë kundër Zotit), dhe bëri thirrje për një reagim të menjëhershëm të komunitetit ndërkombëtar për të parandaluar vazhdimin e vrasjeve dhe rrezikun e ekzekutimeve masive të të arrestuarve. “Kërcënimet nga autoritetet iraniane për të dënuar protestuesit me vdekje për akuza si moharebeh duhet të merren shumë seriozisht”, tha drejtori i IHRNGO-së, Mahmood Amiry-Moghaddam. “Ata që janë në pushtet sot janë të njëjtit individë që në vitet ‘80 kryen krime kundër njerëzimit duke ekzekutuar mijëra të burgosur politikë pa gjyq. Rreziku i një përsëritjeje të atyre krimeve është plotësisht real”.

Lini një Përgjigje