Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të hënë një takim me përfaqësues të sektorit të hotelerisë në Sarandë, në prag të sezonit turistik. Ai vuri theksin te evazioni fiskal dhe propozoi një opsion të ri për bizneset që duan të shmangin kontrollet tatimore gjatë periudhës së pikut.
Parapagesa 65% për të shmangur kontrollet
Rama u shpreh se për të siguruar deklarime më të sakta të kapacitetit të shfrytëzuar të strukturave hoteliere, qeveria ka menduar një zgjidhje: bizneset mund të paguajnë paraprakisht 65% të detyrimeve për periudhën maj-shtator, ndërsa pjesën tjetër prej 30% gjatë muajve të dimrit.
“Bëni shumë hile me numrin e shtretërve të zënë, duhet ta pranoni,” tha Rama. “Në Sarandë dhe Ksamil, nuk mund të pretendojë askush se në korrik-gusht ka shtretër bosh, por po të shohësh deklarimet tuaja, duket sikur jeni në krizë. Ne ulëm TVSH-në për këtë arsye, por prapë nuk reflektoni.”
Marrëveshja me bizneset: Pa kontrolle për ata që paguajnë
Kryeministri sqaroi se bizneset që pranojnë këtë marrëveshje nuk do të kenë kontrolle tatimore gjatë sezonit veror.
“Ata që pranojnë të paraguajnë 65% nga maji deri në shtator, nuk do të kenë asnjë kontroll. Më pas, gjatë muajve të dimrit, do të paguajnë dhe 30% për të mbajtur minimumin e stafeve,” shtoi Rama.
Ky propozim vjen si një përpjekje për të luftuar informalitetin në sektorin e turizmit dhe për të siguruar më shumë të ardhura për pushtetin vendor.