Bënte ‘inspektorin’ dhe gjobiste bizneset – 26-vjeçari mashtron mbi 35 subjekte duke u shtirur si IKMT dhe AKU

Prezantohej si zyrtar i shtetit dhe mashtroi mbi 35 biznese, në pranga 26-vjeçari nga…

Pikat kryesore

  • Një 26-vjeçar nga Saranda është arrestuar nga policia pasi kishte mashtruar mbi 35 biznese duke u prezantuar si zyrtar i shtetit.
  • I riu i identifikuar si Luçiano Mahilaj u kap në flagrancë duke marrë një shumë prej 56 000 lekë të reja nga një person në Sarandë.
  • Mahilaj u prezantohej biznesmenëve në qytete të ndryshme si punonjës i IKMT-së, AKU-së, Tatim-Taksave etj, ku për çdo rast përfitonte shuma nga 200 deri në 600 euro.

Një skemë mashtrimi e shtrirë në disa qytete të vendit është zbuluar nga policia, duke çuar në arrestimin e një 26-vjeçari nga Saranda, i cili prej kohësh prezantohej si zyrtar i institucioneve shtetërore për të përfituar para nga bizneset.

I riu, i identifikuar si Luçiano Mahilaj, u vu në pranga pas një hetimi njëmujor të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Sipas autoriteteve, 26-vjeçari prezantohej si punonjës i institucioneve si IKMT, AKU apo Tatim-Taksat, duke mashtruar biznesmenë në qytete të ndryshme të vendit. Për çdo rast, ai përfitonte shuma që varionin nga 200 deri në 600 euro.

Operacioni i koduar “The End” u finalizua me kapjen në flagrancë të Mahilajt në Sarandë, teksa po merrte 56 000 lekë të reja nga një qytetar. Shuma e parave u sekuestrua nga policia.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se ai ka mashtruar mbi 35 biznese dhe subjekte tregtare në qytete si Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Vlorë, Himarë, Orikum, Fier dhe Berat.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht të gjithë aktivitetin kriminal të tij, ndërsa falënderon qytetarët dhe institucionet për bashkëpunimin që çoi në zbulimin e kësaj skeme.

Autoritetet i bëjnë thirrje çdo biznesi dhe qytetari të denoncojë raste të ngjashme, duke garantuar reagim të shpejtë dhe në përputhje me ligjin

Lini një Përgjigje