Kabineti i presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kërkoi që filmi “Lejleku” i regjisorit kosovar, Isa Qosja, të shfaqet sërish për publikun, pasi shfaqja e tij më 3 shtator u ndërpre me forcë.
Ndërprerja ndodhi për shkak të reagimit të disa qytetarëve, të cilët, mësa dukej, nuk e pranuan faktin që filmi ishte në gjuhën shqipe.
“Presim që policia dhe Zyra e Prokurorit t’i identifikojnë autorët dhe t’i ndjekin penalisht.
Është e rëndësishme të mundësohet sërish shfaqja e filmit”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga kabineti i Millatoviqit.
Policia e Malit të Zi nuk doli me ndonjë deklaratë zyrtare, por Radios Evropa e Lirë iu tha jozyrtarisht se ajo ende “po mbledh informacione” dhe se “po vepron sipas urdhrave të prokurorit”.
Organizatorët e festivalit Xhada, në të cilin po shfaqej “Lejleku”, konfirmuan se kishte ndodhur një “situatë e pakëndshme” dhe se shfaqja e filmit ishte ndërprerë për arsye sigurie.
Ata nuk deshën të komentonin më shumë për Radion Evropa e Lirë.
Disa parti politike dhe shoqëria civile u bënë thirrje autoriteteve që ta ndëshkojnë urgjentisht këtë lloj sjelljeje të dhunshme dhe të mbrojnë dinjitetin e artistëve, qytetarëve dhe hapësirës publike.
Jasmin Muriq, i cili ishte pjesë e audiencës, e përshkroi rrjedhën e ngjarjes për Radion Evropa e Lirë: “Pas skenës së parë dhe fjalëve të para të thëna në shqip, disa njerëz u larguan nga shfaqja, duke bërë komente të këqija.
Pas 20 minutash, një grup njerëzish që qëndronin aty pranë, filluan të bërtisnin me zë të lartë, duke kërkuar që shfaqja të ndërpritej”.
Ai tha se një prej organizatorëve u kërkoi atyre të heshtnin dhe të lejonin vazhdimin e filmit, por se ata “e kërcënuan dhe e fyen”, e madje i bënë edhe “me shenja të sulmit fizik”.
Sipas Muriqit, situata u qetësua pak, por rreth 15 minuta më vonë, “u shfaq një grup tjetër prej shtatë ose tetë personash, të moshës midis 20 dhe 40 vjeç”.
“Ata kërkuan me agresivitet dhe me zë të lartë që shfaqja e filmit të ndërpritej menjëherë.
Ata bërtitën: ‘Ndaleni menjëherë këtë film’, ‘Asnjë film shqip në [lagjen] Zabjello’, ‘Unë jetoj këtu dhe nuk mund të më shfaqni film shqip”, rrëfeu Muriq.
Ai tha se është i befasuar, por nuk i fajëson ata që e shkaktuan incidentin.
Sipas tij, “Lejleku” është një rrëfim për pozitën e grave në zonat e izoluara, përfshirë pjesë të Malit të Zi.
Një nga shfaqjet në natyrë në festivalin e filmit Xhada Ai e sheh incidentin si një problem më të thellë, sepse “shteti nuk i ka kushtuar aspak kohë ndërtimit të një shoqërie të shëndetshme”.
Sipas tij, shoqëria ndodhet në prag të një krize serioze.
Thirrje drejtuar autoriteteve për t’i identifikuar autorët Ndërprerja e dhunshme e filmit u dënua nga një pjesë e publikut, sektori joqeveritar, si dhe përfaqësues të jetës politike dhe fetare.
Përveç kërkesës që filmi të përsëritet dhe autorët të identifikohen, Zyra e Presidentit të Malit të Zi tha se ndërprerja e dhunshme e shfaqjes së filmit paraqet diskriminim të rëndë dhe jotolerancë të hapur, “vetëm sepse filmi është xhiruar në gjuhën shqipe”.
“Ky është një alarm se vlerat themelore shoqërore po pësojnë një goditje serioze”, thuhet në deklaratë.
Kryetari i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq, tha se ndërprerja e filmit është “sulm ndaj diversitetit kulturor” të Malit të Zi.
Sipas zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, ndërprerja e dhunshme e shfaqjes së filmit në gjuhën shqipe nuk është vetëm çështje e komunitetit shqiptar, por çështje e Malit të Zi.
“Ata që janë më përgjegjës për reagimin dhe sigurimin e shfaqjes së filmit, janë: presidenti i shtetit, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit.
Fatkeqësisht, reagimi i tyre mungon”, tha Gjeloshaj.
Zëvendëskryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, tha se pret një reagim vendimtar nga institucionet dhe njoftoi se “do të sigurohet personalisht që autoritetet t’i gjejnë organizatorët dhe autorët e kësaj ngjarjeje të neveritshme”.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, i cili mbështeti financiarisht festivalin Xhada, lëshoi një deklaratë të shkurtër në rrjetin X, duke thënë se “liria e shprehjes artistike është pjesë integrale e lirisë së fjalës dhe një nga vlerat thelbësore demokratike”.
*Shëndeti gjinekologjik është një pjesë thelbësore e mirëqenies së çdo gruaje, në çdo fazë të jetës.