Plagoset me thikë një nxënës shkolle në Mat, shoqërohet autori! Sherri ndodhi gjatë orës së fizkulturës

Një incident i rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti” në Baz të Matit, ku dy nxënës janë konfliktuar gjatë orës së fizkulturës, duke përdorur mjete prerëse. Si pasojë, një 17-vjeçar ka mbetur i plagosur lehtë.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe autoambulanca, të njoftuar nga mësuesit e shkollës. I plagosuri është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa autori i dyshuar, 18-vjeçari Donald Lepuri, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Mat.

Sipas informacioneve paraprake nga policia, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30 në ambientin sportiv të shkollës. Dyshohet se konflikti mes dy të rinjve ka ndodhur për motive të dobëta dhe ka përfunduar me përdorimin e një mjeti prerës nga 18-vjeçari D.L., i cili ka goditur 17-vjeçarin.

Falë ndërhyrjes së shpejtë të policisë, autori i dyshuar është ndaluar dhe arma e krimit është sekuestruar si provë materiale. Hetimet e para tregojnë se të dy nxënësit nuk kanë pasur konflikte të mëparshme.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon punën për të sqaruar rrethanat dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.

Lini një Përgjigje