Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për median greke “Kathimerini”, ka folur mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke, zhvillimin ekonomik të vendit dhe çështjet e mbetura pezull mes dy vendeve, përfshirë pronat e pakicës greke në jug të Shqipërisë. Duke komentuar reagimet në Greqi pas disa deklaratave të tij në Abu Dhabi, Rama tha se ato ishin bërë në një kontekst humori dhe diskutimi, por u keqinterpretuan. “ Na vjen keq kur komentet me qëllim diskutimi dhe pak humori shndërrohen në çështje serioze. Nuk kanë synim të ofendojnë, por të nxisin vetëironi ”, u shpreh ai, duke shtuar se ka respekt të plotë për historinë dhe kulturën greke. Sa i përket ekonomisë shqiptare, Rama theksoi se vendi ka pësuar transformim të rëndësishëm, duke u kthyer në një destinacion turistik në rritje dhe me rritje ekonomike mesatare rreth 4% në vit. Ai shtoi se Shqipëria ka rritur ndjeshëm të ardhurat dhe ka përmirësuar raportin mes ekonomisë formale dhe asaj informale. Në lidhje me pronat e pakicës greke në Shqipëri, Rama deklaroi se problemi është pjesë e një çështjeje më të gjerë të pronësisë në vend, që lidhet me trashëgiminë historike të periudhës së komunizmit dhe tranzicionit. “Nuk është një çështje specifike për pakicën greke. Po bëjmë procesin e rregullimit dhe konsolidimit të kadastrës në të gjithë vendin ,” tha ai, duke theksuar se titujt e pronësisë po u jepen qytetarëve pa dallim etnie. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është tashmë në vitin e tij të 13-të në detyrë, por disa çështje që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e vendit të tij me Greqinë mbeten të njëjta. Disa ditë para mbërritjes së tij në Greqi për Forumin e 11-të Ekonomik Delphi (22-25 prill), Rama foli me Kathimerini-n rreth marrëdhënieve greko-shqiptare dhe çështjes së pronave greke në Himarë.
Nuk kam marrë kurrë bursë për në Harvard”, Rama për “Kathimerini”: Çështja e pronave nuk…