Pikat kryesore
- Pushteti në Serbi dhe secesionistët serbë në Bosnjë-Hercegovinë po luftojnë që krimineli i luftës Ratko Mlladiq të lirohet nga burgu “për të vdekur i qetë në shtëpi”.
- Presidenti i Serbisë është i shqetësuar për fatin e Mlladiqit.
- Ministri serb i drejtësisë ka paraqitur në Hagë garanci për lirimin e tij.
Pushteti në Serbi dhe secesionistët serbë në Bosnjë-Hercegovinë po luftojnë që krimineli i luftës Ratko Mlladiq të lirohet nga burgu “për të vdekur i qetë në shtëpi”. Kryetari i Beogradit e quan kasapin e Ballkanit “hero”. Presidenti i Serbisë është i shqetësuar për fatin e Mlladiqit. Ministri serb i drejtësisë ka paraqitur në Hagë garanci për lirimin e tij. Glorifikimi i Mlladiqit tregon se pushteti në Serbi s’është penduar për krimet e kryera gjatë luftërave në Ballkan. 1. Ratko Mlladiq është kriminel lufte. Kur të përmenden njerëzit më barbarë të shekullit të 20-të (si Stalini, Hitleri apo Osama Bin Laden), Mlladiq do të jetë në këtë listë. Gjenocidi ndaj boshnjakëve ishte i pari në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ratko Mlladiq, ka qenë komandant i forcave ushtarake të serbëve të Bosnjës në periudhën 1992-1995. 2. Prej disa ditësh, familjarët e Ratko Mlladiqit po alarmojnë opinionin në Serbi dhe në pjesën me shumicë serbe të Bosnjë-Hercegovinës, duke pretenduar se ai është rëndë i sëmurë dhe duhet të lirohet nga burgu në Hagë, ku po vuan dënimin. Institucioni pasues i Tribunalit të OKB-së për ish-Jugosllavi e ka refuzuar deri tani këtë kërkesë. Ndërkohë, për kryetarin e Beogradit Aleksandar Shapiq, anëtar i partisë në pushtet të presidentit autokratik Aleksandar Vuçiq, nuk ka dyshim: “Mlladiq është hero”. Edhe vetë Vuçiq është shprehur në favor të lirimit të Mlladiqit, duke thënë se nuk e kupton pse dikujt nuk i lejohet t’i kalojë ditët e fundit jashtë qelisë. Ministri serb i drejtësisë ka paraqitur në Hagë garanci për lirimin e tij. Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, një organizatë joqeveritare në Serbi, ka njoftuar se ka paraqitur një ankesë pranë Komisionerit për Mbrojtjen e Barazisë në Serbi kundër kryetarit të Beogradit, Aleksandar Shapiq, duke theksuar se ai në rrjetet sociale ka publikuar një fotografi të Ratko Mlladiqit me mesazhin se bëhet fjalë për një “hero serb”. Publikimi, sipas Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, përbën gjuhë urrejtjeje dhe një formë të rëndë diskriminimi ndaj popullit boshnjak dhe kroat. Iniciativa kërkon reagimin e institucioneve kompetente dhe dënimin nga të gjitha grupet e këshilltarëve në Kuvendin e qytetit të Beogradit. Si shumë kërkesa të tjera, edhe kjo do të injorohet si nga kryetari i Beogradit, ashtu edhe nga institucione të tjera. 3. Glorifikimi i Mlladiqit është bërë pjesë e përditshmërisë në Serbi dhe në republikën serbe të kontrolluar nga serbët në Bosnjë-Hercegovinë. Viktimat e tij nuk përmenden. Në emisione televizive shpesh ftohen kriminelë lufte të dënuar. Një aktiviste që hodhi vezë mbi një mural me portretin e Mlladiqit në Beograd u dënua me burg. Dy studente serbe nga Bosnja, që e lavdëruan Mlladiqin, u shpërblyen me vende studimi dhe bursa në Beograd. 4. Sipas kryeprokurorit të Mekanizmit Ndërkombëtar Rezidual për Tribunalet Penale, Serge Brammertz, në Serbi është krijuar një atmosferë e mohimit të krimeve të luftës. Shoqatat e viktimave të luftës në Bosnjë protestuan kundër lirimit të mundshëm të Mlladiqit dhe paralajmëruan se kjo do të ishte një “padrejtësi e madhe”. Kryeprokurori i Kroacisë, Ivan Turudiq, bëri të ditur se lirimi i Ratko Mlladiqit do të ishte mesazh shumë i keq, pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore. “Unë nuk do ta liroja kurrë, por e dimë se ka pasur raste kur persona që ishin në gjendje shumë më të mirë shëndetësore se Ratko Mlladiq janë liruar nga burgu i Hagës. Nuk do t’i përmend me emra”, tha Turudiq për mediat kroate. “Mendoj se do të ishte një mesazh shumë i keq që një njeri, i cili në fakt nuk ka dhënë llogari as për të gjitha krimet, madje nuk e di nëse ka dhënë përgjegjësi për ndonjë krim që ka kryer në Kroaci, të lirohet, sado i sëmurë të jetë. Jam i sigurt se në burg ai ka kujdesin e duhur mjekësor”, tha Turudiq.