Nga Inteligjenca Artificiale te debatet për Zvërnecin/ Rama: Dezinformim mbi projektet në…

Nga Inteligjenca Artificiale te debatet për Zvërnecin/ Rama: Dezinformim mbi projektet në…

Pikat kryesore

  • Rama tha se në Bochum mori pjesë në samitin ndërkombëtar të teknologjisë “Ruhr Summit”, ku prezantoi transformimet e Shqipërisë në fushën e digjitalizimit dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale në administratë.
  • Duke folur për një intervistë për Deutsche Welle, Rama komentoi edhe pyetjet e bëra për projektet në Zvërnec dhe Sazan, duke i cilësuar disa prej tyre si të ndikuara nga, sipas tij, dezinformimi dhe narrativat politike.
  • Rama shtoi se të gjitha projektet në zonat e mbrojtura po kalojnë përmes vlerësimeve të ndikimit në mjedis dhe se procesi është në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe monitorimin e Komisionit Europian.

Kryeministri Edi Rama, gjatë podcastit të tij të përjavshëm “Flasim”, foli për zhvillimet e javës, duke u ndalur te vizita e tij në Bochum të Gjermanisë, projektet e digjitalizimit, si dhe debatet publike mbi investimet në zonat e Zvërnecit dhe Sazanit. Rama tha se në Bochum mori pjesë në samitin ndërkombëtar të teknologjisë “Ruhr Summit”, ku prezantoi transformimet e Shqipërisë në fushën e digjitalizimit dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale në administratë. Duke folur për një intervistë për Deutsche Welle, Rama komentoi edhe pyetjet e bëra për projektet në Zvërnec dhe Sazan, duke i cilësuar disa prej tyre si të ndikuara nga, sipas tij, dezinformimi dhe narrativat politike. Ai theksoi se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë plan për shitje të tokës publike, duke sqaruar se në rastin e Sazanit bëhet fjalë për një proces negociatash partneriteti ku shteti mbetet pronar i tokës dhe pjesëmarrës në sipërmarrje. Rama shtoi se të gjitha projektet në zonat e mbrojtura po kalojnë përmes vlerësimeve të ndikimit në mjedis dhe se procesi është në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe monitorimin e Komisionit Europian. Sipas tij, procesi i integrimit europian mbetet prioritet absolut dhe asnjë zhvillim nuk do të jetë në kundërshtim me kriteret e BE-së. Pjesë nga fjala e Ramës; Një tjetër moment për t’u shënuar nga java ishte vizita në Bochum të Gjermanisë, me ftesë të organizatorëve të samitit ndërkombëtar të teknologjisë “Ruhr Summit”, ku isha i ftuar për të prezantuar transformimet që kemi bërë në Shqipëri me digjitalizimin dhe mënyrën se si e kemi modernizuar dhe po e modernizojmë qeverisjen përmes digjitalizimit dhe, së fundmi, edhe përmes futjes në përdorim të Inteligjencës Artificiale. Një tjetër moment në atë vizitë ishte takimi me kryeministrin e landit, Hendrik Wüst, një ndër figurat më të spikatura të CDU-së gjermane dhe një mik i interesuar për zhvillimet në Shqipëri, për ecurinë e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor, me të cilin folëm qoftë për këtë aspekt, pra për mbështetjen e Gjermanisë në mbylljen e kapitujve të negociatave, qoftë edhe për zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë përmes marrëdhënieve me rajonet. Por, pa dyshim, që “qershia mbi tortë” e kësaj vizite ishte ajo e papritura në intervistën me gazetaren e seksionit ndërkombëtar të Deutsche Welle-s, ku, për hir të së vërtetës, u surprizova nga mënyra se si gazetarja e kishte “gëlltitur” tërësisht çorbën e të pavërtetave lidhur me Zvërnecin dhe lidhur me marrëdhënien mes qeverisë dhe kompanisë që përfaqësohet nga Jared Kushner, duke mos e fshehur ajo se i përkiste kampit të gjerë të të gjithë atyre që e kthyen Shqipërinë në një arenë për të bërë “luftën” e tyre me Trump-in, qofshin në Amerikë, qofshin në Australi, qofshin edhe në Europë. U përballa me pyetje të tipit: “Si mund të privatizohet, të shitet toka publike?”, gjë që as nuk ka ndodhur, as nuk ka arsye të ndodhë. Zvërneci është tokë private, Sazani është tokë publike, ku ende nuk kemi mbyllur marrëveshjen. Pikërisht sepse ne po negociojmë partneritetin dhe shteti, që do të jetë gjithnjë pronar i tokës, do të duhet, për t’u realizuar marrëveshja, të jetë ortak në sipërmarrje. Pra, as nuk është kërkuar ndonjë shitje e tokës publike. Pastaj, gjithë pjesa që ka të bëjë me zonat e mbrojtura, me Kapitullin 27, me sa jemi ne të vetëdijshëm apo çfarë jemi ne në gjendje të sakrifikojmë deri edhe vetë Bashkimin Europian, për të bërë projektin, është një hata e madhe logjike. Ndërkohë që historia është fare e thjeshtë. Cilido që e ka shumë të qartë ose e ka pak të qartë faktin që unë jam këtu për të udhëhequr Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, faktin që ne kemi një mandat popullor shumë të fortë për të realizuar këtë mision historik, faktin që ky mision historik nuk është i krahasueshëm dhe i barazvlefshëm me asgjë, e ka shumë të qartë edhe faktin që nuk ka asnjë shans që Shqipëria të bëjë hapa, të bëjë zhvillime që bien ndesh me standardet dhe kriteret e Bashkimit Europian. Në rastin konkret, e gjitha është një vorbull, e cila përzihet e përzihet e përzihet për qëllime që tanimë janë qartësisht të tjera, ndërkohë që ne jemi të detyruar nga ato standarde të bëjmë vlerësimin e impaktit në mjedis, gjë që po e bëjmë; jemi të detyruar nga ato standarde që t’u përgjigjemi të gjitha kritereve të Bashkimit Europian. Pra, si të thuash, “siguresa” për të gjithë ata që janë të shqetësuar është aty; është pikërisht Komisioni Europian, i cili deri më tani është njohur në vijimësi me faktet dhe nuk ka asnjë sens alarmi, sepse është shumë e qartë që i gjithë procesi do të bëhet në harmoni me procesin e monitorimit nga Komisioni Europian. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! Nis në Gjykatën e Tiranës seanca për masën e sigurisë ndaj 21 të arrestuarve pas protestës te Parlamenti Studimi: Fërkimi i syve mund të çojë në probleme të përhershme të shikimit Protestat/ “Një ekip po dëgjon me vëmendje gjithçka”, Rama: Asnjë shans që Shqipëria të bëjë zhvillime që bien ndesh me standardet e BE!

Lini një Përgjigje