Nga humorist në ndërtues?”/ Donald Veshaj del në dokumentet për kullën 33 kate në Vlorë, projekti kalon në KKT-në e Ramës

Një projekt i madh ndërtimi në Vlorë ka shpërthyer në rrjet gjatë orëve të fundit, pasi në dokumentet e publikuara online shfaqet edhe emri i Donald Veshajt. Bëhet fjalë për një objekt rezidencial dhe hoteleri me 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nëntokë, projekt i cili rezulton të jetë shqyrtuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit.

Në dokumentet që po qarkullojnë në rrjetet sociale përmendet kompania “DGC” sh.p.k., ndërsa në aktin e themelimit figuron si ortak edhe Donald Veshaj, së bashku me Glenis Çobon. Në përshkrimin e objektit të aktivitetit, kompania rezulton e fokusuar në fushën e ndërtimit dhe investimeve.

Pikërisht ky detaj ka ndezur debat online, pasi shumë komentues po flasin për kalimin e figurave publike nga ekrani televiziv drejt biznesit të kullave dhe investimeve milionëshe.


Në një tjetër dokument të publikuar online, projekti përmendet si:
“Objekt rezidencial dhe hoteleri me 33 kate mbi tokë dhe 4 kate nën tokë”, me vendndodhje në Bashkinë Vlorë dhe subjekt zhvillues shoqërinë “DGC” sh.p.k.


Për shkak se projekti është pjesë e procedurave që kalojnë në institucionet e territorit, në rrjet është përfshirë edhe emri i kryeministrit Edi Rama, duke sjellë reagime të shumta dhe diskutime politike.


Deri në këto momente nuk ka një reagim publik nga Donald Veshaj lidhur me dokumentet që po bëjnë xhiron e rrjetit apo me projektin e shumëpërfolur në Vlorë.

Lini një Përgjigje