Pikat kryesore
- Buxheti 2026 dhe Paketa Fiskale që e shoqëron atë sjellin ndryshime të drejtpërdrejta për qytetarët, familjet dhe bizneset.
- Ministri i Financave, Petrit Malaj, në një intervistë për TV Klan, thekson se prioritetet kryesore janë rritja e mirëqenies, konsolidimi ekonomik dhe mbrojtja sociale.
- “Të gjithë ata individë të cilët gjatë një viti realizojnë të ardhura nga punësimi mbi 600 mijë lekë, kanë të drejtën që të bëjnë deklarimin individual të të ardhurave.
Buxheti 2026 dhe Paketa Fiskale që e shoqëron atë sjellin ndryshime të drejtpërdrejta për qytetarët, familjet dhe bizneset. Ministri i Financave, Petrit Malaj, në një intervistë për TV Klan, thekson se prioritetet kryesore janë rritja e mirëqenies, konsolidimi ekonomik dhe mbrojtja sociale. “Të gjithë ata individë të cilët gjatë një viti realizojnë të ardhura nga punësimi mbi 600 mijë lekë, kanë të drejtën që të bëjnë deklarimin individual të të ardhurave. Të zbresin 48 mijë lekë për çdo fëmijë që është nën moshën 18 vjeç. Për një familje e cila ka fëmijë nën moshën 18 vjeç, i bie që t’i kompensojë familjes nga 6 mijë deri në 11 mijë lekë. Ndërkohë, që për një familje ka dy fëmijë, kjo vlerë varion nga 12 mijë deri në 22 mijë lekë” , tha Malaj. Ndërkohë, bizneset pritet të preken nga disa masa që qeveria i quan lehtësuese: fshirja e borxheve të vjetra tatimore dhe vendosja e tavaneve për pagesat cash. “Nëpërmjet Paketës Fiskale, bizneset do të kenë mundësinë që të çlirohen nga borxhet e shkuara, duke paguar një pjesë të detyrimit të tyre tatimor, e duke u falur një pjesë të kamatë-vonesave dhe të gjobave. Për herë të parë, për transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorëve po vendosim një tavan, ku limiti është në masën 500 mijë lekë dhe nëpërmjet kësaj qasje, ne po tentojmë që të ulim përdorimin e parasë cash, në mënyrë që të rrisim formalizimin e ekonomisë” , tha Malaj.