Pikat kryesore
- Shqipëria mbetet një nga vendet me numrin më të lartë të ankesave në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).
- Çështjet kryesore janë ato të pronësisë dhe zvarritjet e proceseve gjyqësore.
- Në këtë kuadër, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, u prit sot në një takim zyrtar nga Kryetari i GJEDNJ, Mattias Guyomar.
Shqipëria mbetet një nga vendet me numrin më të lartë të ankesave në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Çështjet kryesore janë ato të pronësisë dhe zvarritjet e proceseve gjyqësore. Në këtë kuadër, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, u prit sot në një takim zyrtar nga Kryetari i GJEDNJ, Mattias Guyomar. “Takimi thekson partneritetin mes dy institucioneve, në mënyrë që Avokati i Popullit të mos jetë më thjesht një vëzhgues, por një filtër aktiv që kërkon zgjidhjen e këtyre dosjeve brenda kufijve të Shqipërisë, sipas standardeve të Strasburgut”, thuhet në një njoftim zyrtar të Avokatit të Popullit. Sipas të dhënave, 1/5 e ankesave (17%) që mbërrijnë në GJEDNJ nga Shqipëria lidhet drejtpërdrejt me pronën. 63% e ankesave vijnë nga mungesa e një procesi të rregullt ligjor, ku qytetari humbet në labirintet e gjykatave shqiptare për dekada me radhë. Ndërkohë janë 238 çështje ndaj shtetit shqiptar në pritje për t’u gjykuar në GJEDNJ, teksa detyrimet e shtetit shqiptar për zbatimin e vendimeve të kësaj gjykate në 10-vjeçarin e fundit, llogariten rreth 40 milionë euro. “Është e papranueshme që pas tre dekadash, qytetarët shqiptarë ende duhet të kalojnë detin për të gjetur drejtësinë për pronën e tyre. Zotimi im është që institucioni ynë të jetë mbrojtësi i parë i të drejtës së pronës. Ne do të ushtrojmë presion mbi administratën vendase që vendimet e Strasburgut të mos mbeten thjesht letra, por të kthehen në të drejta të realizuara për çdo familje shqiptare”, tha gjatë takimit Shabani.