Një moment i rrallë dhe shumë emocional është regjistruar në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, duke sjellë një nga surprizat më të veçanta të këtij sezoni.
Teksa banorët ndodheshin në oborr, vëmendja e tyre u tërhoq nga një dron që fluturonte mbi shtëpi, duke mbajtur një banderolë me një mesazh mbështetës. Surpriza vinte nga daja i Brikena, Gëzimi, i cili kishte zgjedhur një mënyrë kreative për t’i dërguar asaj përkrahjen nga jashtë.
Por ajo që e bëri këtë moment edhe më të veçantë ishte përmbajtja e mesazhit. Në banderolë shkruhej: “Do e pimë kafen me Mateon…”, një frazë e thjeshtë në dukje, por me një domethënie të fortë. Mesazhi u interpretua si një shenjë e qartë miratimi nga familja për raportin mes Brikenës dhe Mateo.
Ky gjest e emocionoi tej mase Brikenën, e cila nuk arriti ta fshehë lumturinë dhe reagimin e saj spontan. Atmosfera në oborr u mbush me entuziazëm, ndërsa edhe Mateo u shfaq i prekur nga kjo mbështetje publike.
Ai reagoi menjëherë para kamerave, duke falënderuar familjarin për surprizën: “Falënderojmë daja Gëzimin për suportin. Ke bërë gjënë më të mirë në botë. E ke bërë Brikenën të ndihet shumë mirë. Do takohemi kur të vij unë në Kosovë.”
Ky moment jo vetëm që i dha një shtysë emocionale Brikenës, por gjithashtu duket se ka forcuar më tej lidhjen mes saj dhe Mateos, duke i dhënë një dimension të ri raportit të tyre – tashmë të mbështetur edhe nga familja jashtë shtëpisë.