Mbyllja e TikTok, Familja Cani: Tragjedia jonë po përdoret për qëllime politike

Familja e Martin Canit, 14-vjeçarit që u vra nga bashkëmoshatari i tij në shkollën “Fan Noli” në Tiranë, ka reaguar ashpër pas vendimit të qeverisë për mbylljen e TikTok, duke e cilësuar këtë akt si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë institucionale dhe për të manipuluar opinionin publik.

Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, familja Cani shprehet se Martini nuk kishte një llogari në TikTok dhe se vrasja e tij nuk ka lidhje me këtë platformë sociale. Ata akuzojnë qeverinë për përdorimin e tragjedisë së familjes së tyre për të justifikuar vendime politike, ndërkohë që problemet reale që çuan në këtë tragjedi mbeten të pazgjidhura.

Martini nuk kishte një llogari në TikTok dhe Martini nuk u vra nga TikTok!” – thuhet në deklaratë. “Martini u vra nga një thikë e drejtuar nga një bashkëmoshatar i tij. Martini u vra nga një sistem arsimor ku mungojnë masat për sigurinë në shkolla, ku institucionet arsimore dhe ato të rendit nuk marrin masa për të parandaluar dhunën. Ai u vra për shkak se prindërit nuk u njoftuan nga shkolla për incidentin e të premtes, duke mos pasur mundësinë e parandalimit të tragjedisë.”

Familja Cani ka ngritur shqetësime serioze për mënyrën sesi sistemi shëndetësor e trajtoi rastin e Martinit, duke thënë se ndihma e parë ishte e vonuar dhe e keqmenaxhuar. Sipas familjes, Martini u dërgua në Spitalin e Traumës, megjithëse QSUT ishte vetëm 3 minuta larg, për shkak të një protokolli absurd. Gjithashtu, ata theksojnë se në Spitalin e Traumës mungonte kardiokirurgu dhe pajisjet e nevojshme për të shpëtuar jetën e Martinit.

Martini u vra sepse në Spitalin e Traumës mungon kardiokirurgu si dhe pajisja e specializuar Extracorporeal Circulation Machine për riparimin e zemrës.”

Familja thekson se Martini po “vritet për së dyti” nga mungesa e drejtësisë dhe papërgjegjshmëria e institucioneve. Sipas tyre, drejtësia për Martinin ende nuk është vënë në vend, dhe autoritetet po përpiqen të shmangin përgjegjësinë e tyre reale duke zhvendosur vëmendjen te rrjetet sociale.

Ne nuk pranojmë që emri i Martinit të përdoret për të justifikuar vendime politike që nuk kanë të bëjnë me vrasjen e tij. Në vend që të merren masa për rritjen e sigurisë në shkolla, për të forcuar edukimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve, për të parandaluar raste të tjera tragjike, qeveria po kërkon të zhvendosë vëmendjen dhe të shmangë përgjegjësinë e saj reale.”

Familja Cani ka bërë thirrje për drejtësi dhe për marrjen e masave konkrete për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen. Ata kanë kërkuar që emri i Martinit të mos përdoret si justifikim për vendime që nuk adresojnë shkaqet e vërteta të dhunës mes të rinjve.

Martini ishte një djalë i mirë, një futbollist me ëndrra, një fëmijë që meritonte të jetonte. Të mos e vrasim për herë të dytë me hipokrizi dhe manipulime politike,” – përfundon deklarata e familjes Cani.

Lini një Përgjigje