Ligjvënësit tanë, BE-dhe Marksi Është fakt që Shqipëria ka

Ligjvënësit tanë, BE-dhe Marksi Është fakt që Shqipëria ka

Pikat kryesore

  • Është fakt që Shqipëria ka gjasa t’i bashkohet BE-së deri në vitin 2030.
  • I bindur për këtë realitet, kryeministri ynë e futi në sloganin zgjedhor duke e personalizuar deri edhe me emrin e tij: “ Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS” !
  • ”Shqipëria është një kandidate për anëtarësim qysh nga viti 2014, koha kur erdhi në pushtet deri sa të dojë të qëndrojë vetë , sipas tij.

Është fakt që Shqipëria ka gjasa t’i bashkohet BE-së deri në vitin 2030. I bindur për këtë realitet, kryeministri ynë e futi në sloganin zgjedhor duke e personalizuar deri edhe me emrin e tij: “ Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS” ! Por, e ka një justifikim nga konjukturat evropiane. ”Shqipëria është një kandidate për anëtarësim qysh nga viti 2014, koha kur erdhi në pushtet deri sa të dojë të qëndrojë vetë , sipas tij. Prej atëherë, kryetari i qeverisë shqiptare, Rama, e ka kryefjalë të politikës dhe retorikës së tij të brendshme dhe të jashtme. Nuk kupton asgjë, madje as nga lëvizjet e tij, sepse në mëngjes është në një qytet lokal, pasdite jashtë vendit dhe në mbrëmje, diku sërish nëpër Shqipëri!! Ndërkohë që opozita me një sens të vazhdueshëm kritik i kujton se reformat e pretenduara nuk kanë fare qasje me përditmërinë e shqiptarëve. Indikacionet e ndryshme ekonomike dhe sidomos bjerrja e vendit, i jep të drejtë. Në këtë vazhdë BE-je, retorika ndryshon mes politikës. Maxhoranca përmes emisarëve të saj, që nuk po e njohin shumë transparencën sa i përket integrimit, i kërkojnë BE-së përfshirje hap pas hapi në programe dhe hartim politikash; kurse opozita e shikon gati si kurth retorik për të hequr vëmendjen nga përditmëria e Shqipërisë. Të enjten, Kuvendi përfshiu në rend të ditës votimin e një rezolute parlamentare mbështetëse për procesin, votuar me konsensus me 114 vota nga Mazhoranca dhe Opozita. Veçse, para kësaj, opozita e kritikoi se ndërsa ai është më shumë teknik, i gjithë procesi është kthyer në politik dhe lidhet me vlerat e standardet demokratike. Po e sjellim këtë argument, sepse para debatit u përcoll një raport nga qeveria (përpiluar qartësisht nga burokratët punëtorë që u takon merita e punës së vështirë në terren), ku bëhej një tablo teknike e negociatave për secilin kapitull me radhë dhe masave të marra deri më tani për përmbushjen e kritereve dhe hendeqeve jo të pakta të konstatuara nga Brukseli. Larg kësaj gjuhe teknike, e vetmja gjë që duket është se shumica e ligjvënësve tanë nuk e njohin fare procesin dhe kjo nuk duket vetëm nga fjalët patetike të tyre dhe diskutimet, por më shumë se çdo gjë tjetër nga padituria. Me të drejtë, deputetja veterane e PD-së, Jozefina Topalli, ish kryetare e Kuvendit, e shprehu pak kohë më parë këtë shqetësim publik për deputetët e PS-së, por i njëjti shqetësim shtrohet dhe nga pak njerëzit e PS-së (për kundërshtarët) që tashmë ndjejnë përmasat e kësaj legjislature. Po vallë ky është niveli i njerëzve që bëjnë ligjet tona!? Kjo është pyetja që shtrohet vazhdimisht, anipse përgjigja dihet. Paccka se kjo kohë e bën të duket normale edhe këtë përbërje. Viti 2008 e ka dërrmuar cilësinë e parlamentit dhe jo vetëm. Ndërkohë nga maxhoranca nuk duan ose më saktë mbase bëjnë sikur nuk e kuptojnë se përtej urdhrave duhet transparencë dhe mbi të gjitha publiku dhe vetë politika duhet të emancipohet për të kuptuar e folur me teknikalitetet dhe retorikën e BE-së. Për fatin e keq nuk ndodh për një sërë arsyesh, kurse media lë hapësirë sqarimi për individë që jo vetëm nuk e kuptojnë në thelb, por nuk dinë deri strukturat bazë dhe vetë funksionimin e BE-së. Nuk do shumë mundim ta këqyrësh si pasojë këtë në parlamentin tonë, bashkë me kënaqësitë cinike që lodrojnë në buzëqeshjet Rama-Berisha për detashmentet e tyre. Edhe pse sot parlamenti është i kritikuar dhe jo pak herë i anatemuar tek ne dhe jo pa arsye, ai është institucioni epror që mbetet në vëmendje dhe ndiqet me kujdes. Anipse për mënyrën sesi u mor dhe si u zhvillua si strukturë, qoftë në Lindje dhe në Perëndim, shpesh të zhgënjen. Dikur ishte një filozof që parapa se institucioni demokratik do bjerrej ngado në Evropë. Mendimi teorik i tij vazhdon të jetë pjesë e debateve dhe referimeve të mendimit. Në esenë e tij “Tetëmbëdhjetë Brymeri i Lui Bonapartit ” ( Data i referohet 9 nëntorit 1799 në Kalendarin Republikan Francez), Karl Marksi do shprehej hidhur: “ Kretinizmi parlamentar: ajo sëmundje e veçantë që nga viti 1848 ka përhapur të gjithë Kontinentin, e cila i mban ata të infektuar prej tij të mbyllur në një botë imagjinare dhe i grabit ata nga çdo ndjenjë, çdo kujtesë, çdo kuptim të botës së jashtme të vrazhdë” . E megjithatë, Shqipëria me gjasë do të jetë në BE në vitin 2030, po arriti të mbyllë këtë vit (2026), dhjetë kapituj, falë dhe këtyre ligjvënësve, paçka dhe konstatimit të Marksit, leximi i gabuar i të cilit e çoi gati në batak Shqipërinë!! (Javanews)

Lini një Përgjigje