Pikat kryesore
- Arian Leka Libri Shqipëria prej letrave i Ben Andonit përfaqëson një nga ndërhyrjet më të qëndrueshme metodologjike në studimet bashkëkohore mbi historinë e mendimit shqiptar të shfaqur përmes letërkëmbimit.
- Letërkëmbimi në këtë libër konceptohet si dokument me vlerë të shumëfishtë.
- Ai është tekst, objekt material dhe akt komunikimi, ku dimensioni privat ndërthuret me atë publik dhe ku individualja takon me historiken.
Nga Prof. Asoc. Dr. Arian Leka Libri Shqipëria prej letrave i Ben Andonit përfaqëson një nga ndërhyrjet më të qëndrueshme metodologjike në studimet bashkëkohore mbi historinë e mendimit shqiptar të shfaqur përmes letërkëmbimit. Duke e zhvendosur vëmendjen nga diskurset normative të historiografisë zyrtare drejt epistolaritetit si formë arkivore, diskursive dhe kulturore, vepra ndërton një paradigmë të kërkimit shkencor, që e trajton letrën jo si burim dytësor, plotësues apo ilustrues, por si hapësirë autonome të prodhimit të dijes dhe të formësimit të vetëdijes kolektive. Letërkëmbimi në këtë libër konceptohet si dokument me vlerë të shumëfishtë. Ai është tekst, objekt material dhe akt komunikimi, ku dimensioni privat ndërthuret me atë publik dhe ku individualja takon me historiken. Në këtë kuptim, studimi i Ben Andonit në librin Shqipëria prej letrave (Papirus, 2025) vendoset në dialog të drejtpërdrejtë me qasjet e historisë kulturore dhe mikrohistorisë, si dhe me teoritë mbi materialitetin e tekstit dhe praktikat shoqërore të shkrimit e të leximit, sidomos në epokën e disleksisë dhe disgrafisë që përjetohet sot. Autori e paraqet epistolari si një “arkiv intim të mendimit”, ku idetë, përveçse artikulohen në formë programatike dhe problemore, prekim edhe zona të emocionalitetit, dyshimit dhe të negociimit të shkruesve mes tyre. I strukturuar në tetë kapituj tematikë, studimi mbështetet mbi një korpus të gjerë dhe të përzgjedhur prej rreth 1200 letrash, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit, Arkivi i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, arkiva akademike dhe burime të tjera private të qëmtuara me kujdes nga autori. Ky material e pozicionon veprën brenda asaj që paleontologu Armando Petrucci e ka përkufizuar si “historia sociale e shkrimit” ku, po aq sa përmbajtja semantike e tekstit, ka rëndësi edhe mënyra e shkrimit, rrethanat e prodhimit, adresimi, qarkullimi dhe çdo element tjetër formal i tij. Ben Andoni tregon vetëdije kritike për kufijtë e përzgjedhjes, duke shmangur pretendimet totalizuese dhe duke e paraqitur librin si një bazë të hapur për kërkime të mëtejshme në disa disiplina. Ky pozicionim metodologjik e largon studimin nga ambicia enciklopedike dhe i jep atij karakter më të thellë eksplorues, ku epistolarët trajtohen si nyje komunikimi në qarqe intelektuale dhe kulturore, brenda dhe jashtë hapësirës kombëtare. Në këtë aspekt, vepra dialogon gjithashtu edhe me analizat e kryera prej historianit të kulturave Robert Darnton, mbi çështjet e qarkullimit të ideve dhe funksionimin e mediave joformale përgjatë historisë intelektuale europiane, ku letërkëmbimi luan një rol jodytësor. Një nga kontributet më të qenësishme të librit Shqipëria prej letrave qëndron në rivlerësimin e epistolarit si “histori alternative” në mendimit shqiptar. Prej këtij këndvështrim letra shfaqet si formë diskursive ku subjektiviteti, retorika e afërsisë dhe koha e përditshme prodhojnë një lloj dijeje që u mungon teksteve zyrtare, programatike apo institucionale, duke plotësuar dhe pasuruar dokumentacionin për personalitetet, për debatin dhe kohën e shkrimit. Falë këtij trajtimi, lexuesi merr njohuri se në letrat shqiptare të periudhave të ndryshme, krahas ideologjisë kombëtare, si shqetësim kryesor, artikulohet edhe dimensioni njerëzor i mendimit, ku shfaqen shpresat, iluzionet, dilemat, zhgënjime dhe kode apo mënyra të pasura adresimesh të letërshkruesve. Një qasje e tillë prej autorit ndaj dokumentit e zhvendos fokusin e studimit nga “historia e ideve” drejt “historisë së mendësive” dhe praktikave kulturore të ushtruara gjatë kohës së komunikimeve përmes letrave. Materiali i shyqrtuar bën me dije gjithashtu se epistolarët funksionojnë si burime primare për historinë e përditshmërisë, duke ndriçuar proceset e zgjimit kombëtar, shtetformimit dhe organizimit kulturor dhe duke mbështetur mendimin e historianit Peter Burke, se kultura shpesh shfaqet më qartë në format e saj të vogla dhe jo zyrtare. Në këtë hapësirë, letra shqiptare, e vendosur në një diskurs më të gjerë epostilar, fiton vlerë të shumëfishtë dokumentuese. Libri Shqipëria prej letrash vendoset në vijimësi kritike kundrejt traditës së botimeve epistolare shqiptare të mëhershme, të intensifikuara si publikime kryesisht pas viteve ’90, të tilla si Letërkëmbimet e Mit’hat bej Frashërit , Kuvend letrash me miqtë i Mustafa Merlika-Krujës, Letërkëmbimi Camaj–Pipa apo Dashuri në moshën e Krishti, me letërkëmbimin intim të Dritëro Agollit, si edhe rishikim në korrespondencat e mëhershme të Dora d’Istrias me De Radën, të Fan Nolit me bashkëpunëtorët apo të Lasgush Poradecit më Asdrenin. Në këtë vështrim, letërkëmbimet e Pjetër Bogdanit, Kristoforidhit, Veqilharxhit dhe personaliteteve të tjera shfaqen si dëshmi të angazhimit intelektual dhe qytetar në çështje themelore të historisë shqiptare. Strukturimi i veprës në kapituj tematikë, të tillë si miqësia, feja, patriotizmi, arsimi, shkenca, kultura, lufta, anonimati etj, përfaqëson brenda librit një zhvendosje të rëndësishme që, duke u nisur nga kronologjia lineare, priret dhe mbërrin drejt analizës së mendësive përmes epistolarëve. Ndërhyrjet dhe intriduktat e autorit, letra, si fakt dhe letërkëmbimi si proces, i përcillet lexuesit si mjet i ndërtimit të rrjeteve të para të komunikimit intelektual shqiptar, duke dëshmuar për një kulturë shkrimi aktive dhe të vetëdijshme. Risi sjell botimi edhe në ndërtimin e një aparati interpretues dhe klasifikues, që i vendos këto epistolarë në raport hierarkik, tematik dhe kronologjik, si dhe në dialog me traditat europiane të letërshkrimit humanist dhe modern, siç do e cilësonte Janet Gurkin Altman në veprën “Epistolariteti: qasje ndaj një forme.” Për secilin kategorizim autori veçon çështje të adresimit, si te Patër Anton Harapi, për çështjet e etikës së komunikimit ndaj hierarkisë, si te Ernest Koliqi ndaj Mustafa Krujës, ku miqësia dhe instutucioni mbahen të balancuar apo te shprehja e keqardhjes dhe ankimet e përmbajtura të Gjeçovit ndaj autoriteveve, nderimi për anën protokollare, si në letërkëmbimin mes Eqrem Bej Vlorës ndaj Ahmet Zogut, apo befasi të tilla si shprehja e ndjenjave miqësore të Ahmet Zogut ndaj Fan Nolit, falënderimet e dashamirëse të shqiptarëve të shquar në koloni dhe në diasporë, deri te mirësjellja formale apo shprehjet dashurore dhe letërkëmbimi mes kundërshtarëve të mëvonshëm me përkatësi e prapavija të ndryshme ideologjikë. Zhvendosja e praktikave shqiptare të shkrimit i vendos këto në dialog me traditat e Lindjes së Largët, Mesopotamisë, Egjiptit të Lashtë apo qytet-shteteve italiane i jep analizës në libër një dimension ndërkulturor dhe evolucionar, duke e nxjerrë rastin shqiptar nga izolimi interpretues. Hipotezat mbi ekzistencën e scriptoriumeve vendase, të mbështetura në analiza krahasuese dhe dëshmi indirekte, e zgjerojnë fushën e studimit drejt paleografisë shqiptare dhe historisë së shkrimit para shtypshkrimeve, që të shtyjnë të kërkosh më thellë në kohën, drejt traditave më të hershme të skribëve në hapësirën shqiptare.