Lamtumirë djalit qytetar, fisnik dhe simpatik, basketbollistit të Tiranës së artë të…

Lamtumirë djalit qytetar, fisnik dhe simpatik, basketbollistit të Tiranës së artë të…

Pikat kryesore

  • Piro Koleka lindi në Tiranë në vitin 1952, djali i doktor Gogo Kolekës dhe Netës, një zonjë e rrallë, fisnike, me rrënjë kroate.
  • U rrit në një shtëpi ku edukata, kultura dhe dinjiteti ishin mënyrë jetese, jo fasadë.
  • Vetëm 16 vjeç, Piro veshi fanellën e ekipit të parë të Tironës, në një kohë kur parketi ndizhej nga emra legjendarë të basketbollit shqiptar: Vaso Shaka, Bujar Shehu, Gavrosh Levonja, Kujtim Kasmi, Land Topalli.

Piro Koleka lindi në Tiranë në vitin 1952, djali i doktor Gogo Kolekës dhe Netës, një zonjë e rrallë, fisnike, me rrënjë kroate. U rrit në një shtëpi ku edukata, kultura dhe dinjiteti ishin mënyrë jetese, jo fasadë. Nxënës i “Sami Frashërit” dhe më pas student i Fakultetit të Shkencave, dega Kimi, Piro ishte ai djalë që shpërqendronte vëmendjen e Tiranës jo vetëm me fizikun sportiv dhe pamjen e hijshme, por me mënyrën si ecte, si fliste, si vishej. Dhe megjithatë, Piro nuk iu nda kurrë “pazarit të parë”. Vetëm 16 vjeç, Piro veshi fanellën e ekipit të parë të Tironës, në një kohë kur parketi ndizhej nga emra legjendarë të basketbollit shqiptar: Vaso Shaka, Bujar Shehu, Gavrosh Levonja, Kujtim Kasmi, Land Topalli. Ai ishte kampionati i fundit i madh për Tironën, përballë një Partizani të ushqyer nga pushteti, me legjendën Agim Fagu e më pas Gazmend Çaçin, me lojtarë të mbledhur nga e gjithë Shqipëria dhe me arbitrime të diktuara nga lart. Tirona u etiketua si “klub reaksioni”. Në “Klubin Petëf”, në “Bodrumin e Hykajve”, apo në apartamentin e Kolekajve te “dyqanet me koma”, siç i thoshim ne tironcit, zhvilloheshin biseda pa fund me rebelët e regjimit. Net që zgjateshin deri në orët e vona, mes gotash që trokisnin me shpresë dhe lajmesh që vinin përtej Adriatikut e Atlantikut. Aty Piro ishte vetvetja: i qetë, i thellë, i mençur, me një elegancë mendimi që nuk kërkonte zë të lartë për t’u dëgjuar. Në moshën 17-vjeçare, Piro ishte pjesë e pesëshes së parë të Tironës, përkrah Shakës, Levonjës, Kasmit dhe Shehut. Më 28 janar 1973, kur Vaso Shaka, legjenda e basketbollit shqiptar, u largua nga sporti, fanellën e tij ia besoi 20-vjeçarit Piro Koleka. Ishte një dorëzim simbolik dinjiteti, karakteri dhe vazhdimësie. Por Piro ishte shumë më tepër se një sportist i madh. Ishte njeri i madh. I hapur, i drejtë, pa paragjykime. Një cilësi sot pothuajse e zhdukur: nuk e konsideronte kurrë veten mbi të tjerët. Kjo e bënte jo arrogant, por fisnik. Ishte tolerant, i thjeshtë në shpirt, “down to earth”, por me një aristokraci natyrore që nuk kishte nevojë për tituj, poste apo duartrokitje. Piro nuk do t’i mungojë vetëm familjes dhe shoqërisë së tij. Të qoftë rruga e lehtë në amshim, miku im. Tirana ishte më e bukur me ty.

Lini një Përgjigje