Pikat kryesore
- Operacioni kundër call center-ave në Tiranë ka prodhuar rezultate konkrete pas një hetimi të gjatë dyvjeçar, duke çuar në arrestime dhe sekuestrime të konsiderueshme.
- Policia e Shtetit njoftoi se aksioni i koduar “Ghost Call” u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europolit.
- Në total, Gjykata e Tiranës ka caktuar 9 masa sigurie, ku 7 prej tyre janë “arrest me burg”, ndërsa për dy persona është vendosur ndalim i daljes jashtë vendit dhe detyrim paraqitjeje.
Operacioni kundër call center-ave në Tiranë ka prodhuar rezultate konkrete pas një hetimi të gjatë dyvjeçar, duke çuar në arrestime dhe sekuestrime të konsiderueshme. Policia e Shtetit njoftoi se aksioni i koduar “Ghost Call” u zhvillua në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europolit. Në total, Gjykata e Tiranës ka caktuar 9 masa sigurie, ku 7 prej tyre janë “arrest me burg”, ndërsa për dy persona është vendosur ndalim i daljes jashtë vendit dhe detyrim paraqitjeje. Gjatë operacionit u arrestuan edhe disa persona në flagrancë, ndërsa të tjerë janë në kërkim. Ndërhyrja përfshiu katër ambiente të dyshuara për mashtrim online, të goditura njëkohësisht. Nga kontrollet u sekuestruan 891,735 euro cash, 443 kompjuterë, 238 telefona celularë dhe 6 laptopë, pajisje që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal ndaj shtetasve të huaj. Hetimi nxjerr në pah rolin e prokurorisë në një çështje si ajo e Call Centerave ku policia ka dështuar herë pas here për shkak të bashëpunimit të disa segmenteve të saj. Operacioni u zhvillua pas hetimeve të prokurores Rovena Zoto, e cila ka çuar përpara procedurat që sollën masat e sigurisë. Mësohet se ka qenë pikërisht vendosmëria e prokurorisë që ka bërë diferencën, në një terren ku më herët janë raportuar edhe lidhje të segmenteve të policisë me këtë aktivitet. Zoto është pjesë e Prokurorisë së Tiranës prej vitit 2022. Ajo ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe për rreth një dekadë ka ushtruar detyrën në Prokurorinë e Lushnjes. Në nëntor 2023 ajo kaloi procesin e vettingut me vendim unanim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të analizojnë pajisjet e sekuestruara për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet. Goditja konsiderohet një nga ndërhyrjet më të forta ndaj call center-ave të paligjshëm, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kjo do të pasohet nga operacione të tjera në vijim.