Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se për zgjedhjet lokale të planifikuara më 12 tetor do të shtypen mbi 3.6 milion fletëvotime. Sipas vendimit të KQZ-së, për raundin e parë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunave do të prodhohen 1,800,410 fletëvotime, një numër i njëjtë do të jetë i nevojshëm edhe për zgjedhjet për Kuvende Komunale.
Ky numër përfshin fletëvotimet për votimet e rregullta, ato me kusht, si dhe për personat me nevoja të veçanta, si dhe fletëvotimet rezervë dhe ato për votim me postë. Megjithatë, KQZ ka njoftuar se do të ketë 268,688 fletëvotime më pak se numri total i qytetarëve me të drejtë vote, i cili sipas Listës Votuese të certifikuar është 2,069,098.
Sipas të dhënave, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë arrin në 2,025,105, ndërsa 43,993 janë regjistruar për të votuar me postë nga jashtë vendit. Procesi zgjedhor do të zhvillohet në 938 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,625 vendvotime, përfshirë 910 Qendra për votim të rregullt dhe 38 për votim me kusht.