Pikat kryesore
- Osmani foli një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, rezultatet preliminare të të cilave e nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje me mbi 49 për qind të votave.
- Presidentja tha se pret formimin e institucioneve të reja, dhe se do të ketë bisedime me deputetë të pushtetit dhe të opozitës në lidhje me kandidaturën e saj.
- Përveç kësaj, Osmani foli edhe lidhur me marrëdhëniet me kryeministrin në detyrë të Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Kosovë/ Vjosa Osmani për REL: Synoj edhe një mandat si presidente Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se synon edhe një mandat në krye të shtetit, teksa asaj i skadon mandati si e para e vendit në prill të vitit 2026. Osmani foli një ditë pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, rezultatet preliminare të të cilave e nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje me mbi 49 për qind të votave. Presidentja tha se pret formimin e institucioneve të reja, dhe se do të ketë bisedime me deputetë të pushtetit dhe të opozitës në lidhje me kandidaturën e saj. Përveç kësaj, Osmani foli edhe lidhur me marrëdhëniet me kryeministrin në detyrë të Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ndërkaq, në lidhje me politikën e jashtme, presidentja komentoi marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën administratën e Donald Trumpit, dhe prapaskenat e takimeve me zyrtarë amerikanë. Ajo foli edhe lidhur me dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes dy vendeve. Radio Evropa e Lirë: Presidente, Kosova dje i pati zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Të dytat për këtë vit. Lëvizja Vetëvendosje doli fituese edhe kësaj radhe, me përqindje më të lartë, sipas rezultateve preliminare. Si i keni parë këto rezultate? Vjosa Osmani: Në radhë të parë, unë dua t’i uroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për shembullin e një demokracie jashtëzakonisht të fortë elektorale që ata e kanë dëshmuar për të satën herë me radhë, dhe siç e thatë edhe ju, përkundër faktit që zgjedhjet janë përsëritur disa herë gjatë këtij viti, sepse kishim edhe zgjedhje lokale, qytetarët treguan se Kosova organizon zgjedhje model. Model do të thosha jo vetëm për rajonin tonë, por edhe përtej, me një demokraci jashtëzakonisht të fuqishme, me zgjedhje të rregullta, të cilat janë sipas standardeve më të larta demokratike që mund të kërkojë dikush. Jo rastësisht, ky është njëri prej elementëve që e kanë ngritur vazhdimisht Kosovën në indekset ndërkombëtare për fuqizimin e demokracisë sonë, të arritura me të cilat jemi jashtëzakonisht krenarë, dhe jam shumë krenare edhe me mënyrën se si gjithçka ka shkuar dje, me daljen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pjesëmarrjen e tyre masive, dhe siç e kam thënë edhe dje kur votova, sa më e madhe pjesëmarrja, aq më e qartë është rruga përpara. Dhe, siç po e shohim edhe nga rezultatet tashmë, do të kemi shumë shpejtë edhe parlament të konstituuar, edhe qeveri të zgjedhur. Radio Evropa e Lirë: E thatë vetë, tash gjasat janë të mëdha që institucionet të zgjidhen dhe qeveria të bëhet. Pastaj Kosovën e pret një tjetër zgjedhje. Mandati juaj përfundon në prill. A synoni mandat të dytë? Vjosa Osmani: Përgjatë këtyre pesë vjetëve kemi bërë maksimumin që të punojmë shumë për interesin e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Kemi punuar që Kosova të mos konsiderohet thjesht si një shtet që ndjek zhvillimet, por si një prej faktorëve të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare që ka rol në përcaktimin e këtyre zhvillimeve. Përgjatë këtyre pesë vjetëve, Kosova është fuqizuar si shtet, brenda dhe jashtë. Brenda, në radhë të parë, për shkak se e ka shtrirë sovranitetin në çdo milimetër të territorit të vendit, kemi fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit që ka qenë një prej prioriteteve tona të përbashkëta që nga koha kur jam zgjedhur presidente në fillim të vitit 2021, dhe natyrshëm në arenën ndërkombëtare Kosova kurrë nuk ka qenë më e përfaqësuar dhe më e fortë, sado që kemi pasur sfida, por sfidat në radhë të parë kanë ardhur nga Serbia, e cila, siç e dini, ka eskaluar edhe me akt-agresionin ndaj Republikës së Kosovës, dhe me sulme ndaj infrastrukturës tonë kritike, dhe me një sërë aktesh destabilizuese. Në rrethana të tilla, si institucione të Kosovës, kemi bërë të pamundurën dhe besoj kemi arritur që të mbrohet interesi i Republikës së Kosovës, që të mbrohet sovraniteti dhe integriteti territorial, që në asnjë moment të mos vihet në pikëpyetje sovraniteti ynë, shtetësia jonë, parimi i unitaritetit të shtetit, dhe njëkohësisht e kemi përfaqësuar Republikën e Kosovës denjësisht para syve të botës, duke ndërtuar një imazh të denjë, të tillë siç e meritojnë qytetarët tanë. Tani, unë mendoj që Kosovës i duhet një vazhdimësi e punëve të mira. Rrjedhimisht, kjo çështje tani do të jetë në duart e deputetëve të Republikës së Kosovës. Do ta shohim se kush do të jenë ata që do të zgjidhen. Radio Evropa e Lirë: Mbrëmë, zoti Kurti e ka përmendur që do ta ketë një takim me ju. Ka thënë që është një ndër veprimet e para që do ta bëjë pas certifikimit të zgjedhjeve. Çfarë do të jetë ky takim? A do të dëshirojë t’i dijë synimet e juaja për kandidaturë? A do të jenë bisedime lidhur me atë se si do të arrihet zgjedhja juaj? Vjosa Osmani: Ne do të diskutojmë, natyrisht, siç kemi diskutuar edhe më parë përgjatë këtij mandati, se si t’i vazhdojmë punët e mira bashkërisht, sepse kjo, siç e dini, varet nga dy të tretat e deputetëve të Republikës së Kosovës, të cilët duhet të marrin pjesë në votim, sado që vetëm 61 vota… Radio Evropa e Lirë: Do të thotë e synoni edhe një mandat? Vjosa Osmani: Synoj që t’i vazhdoj punët e mira për qytetarët e Republikës së Kosovës, për vendin tonë. Mendoj që të arriturat e shumta dhe punët e mira që po na presin dhe janë te dera duhet të vazhdohen, sepse është interesi më i mirë i Republikës sonë. Megjithatë, unë, po ashtu, jam plotësisht e vetëdijshme që kjo nuk varet vetëm nga ky vlerësim, por varet nga dy të drejtat e deputetëve të Republikës së Kosovës, të cilët duhet të vendosin, do të thosha, në dy pika themelore. E para është nëse duan ta mbrojnë interesin më të mirë të Republikës, dhe e dyta është nëse duan ta dëgjojnë vullnetin qytetar… Radio Evropa e Lirë: A synoni bisedime me opozitën? Vjosa Osmani: Natyrisht, siç kam bërë edhe herën e kaluar, do ta bëjmë sërish me të gjithë deputetët. Natyrisht, unë nuk kërkoj përkrahje nga Lista Serbe, sepse sikurse edhe herën e kaluar, nuk kam pasur ndonjë votë nga ata dhe, siç e dini, pas veprimeve të tyre… Radio Evropa e Lirë: A ka pakicë të caktuar ku ju mendoni se do të ketë hezitim për votën tuaj, ose qoftë për prezencën në votim? Vjosa Osmani: Është shumë herët që të flitet për këtë çështje tani. Angazhim në politikë i Osmani nëse s’zgjedhet presidente Radio Evropa e Lirë: Në bazë të raporteve që kanë qenë këta pesë vjet. Vjosa Osmani: Unë do të bisedoj me të gjitha partitë shqiptare, me partitë e pakicave joserbe, do të bisedoj me ta. Natyrisht, shumë prej tyre tashmë i kanë shprehur qëndrimet në takimet me mua, mirëpo do të duhet që të ulemi, të diskutojmë, dhe të shihet, siç e thashë, e para, në qoftë se dëshirojnë vazhdimësi të mbrojtjes së interesit qytetar, dhe në qoftë se dëshirojnë që të dëgjohet vullneti qytetar, i cili është i qartë. Në shumicën dërmuese të matjeve, shihet që diku rreth 81 për qind e qytetarëve të Republikës dëshirojnë një mandat të dytë. Pra, do ta shohim në qoftë se deputetët dëshirojnë materializim të këtij vullneti. Pra, këto janë çështje që do t’i bisedojmë, megjithatë për mua është thjesht një mundësi për t’i shërbyer vendit, dhe në qoftë se deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e dëshirojnë këtë, atëherë unë do ta vazhdoj mundësinë e shërbimit të vendit në mundësi tjera. Pra, ka edhe mundësi të tjera që mund të angazhohem në politikë. Angazhimin politik nuk do ta ndërpres assesi, pavarësisht rezultatit që do të arrihet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Por, mendoj që është në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës që të ketë vazhdimësi të punëve të mira, dhe shpresoj shumë që këtë vlerësim ta kenë edhe shumica dërmuese të deputetëve të Kuvendit, por, natyrisht ata e kanë mendimin e tyre të lirë dhe do ta shohim në ditët në vijim se cili do të jetë ai. Radio Evropa e Lirë: Përtej pozitës së presidentes, a synoni rikthimin në politikë? Nëse veç nuk e merrni një mandat të dytë, ose në ndonjë skenar tjetër. A e parashihni rikthimin në politikë, në zgjedhje? Vjosa Osmani: Natyrisht që, nëse nuk ka një mandat të dytë, dhe vazhdim të punëve të mira për vendin dhe në interes të vendit, atëherë mundësia që mbetet është ajo e rikthimit në angazhim politik, për shkak se mendoj që ka ende hapësirë për t’i shërbyer vendit nëpërmjet angazhimit politik, por siç e thashë, kjo do të jetë një çështje që do të vendoset tash nga një parlament i cili do të konstituohet. Por, siç e përmenda, angazhimin politik natyrisht që nuk do ta ndërpres, pavarësisht rezultatit. Radio Evropa e Lirë: Me një subjekt të ri politik? Vjosa Osmani: Ato janë çështje që mendohen dhe determinohen, vetëm në qoftë se nuk ka vazhdimësi të mandatit si presidente, por këto janë çështje për të cilat janë shumë komod, sepse kam një angazhim politik prej 26 vjetësh, dhe një përvojë dhe një angazhim që ka qenë gjithnjë në interes të vendit, të cilin sërish dua t’ia ofroj qytetarëve të Republikës së Kosovës. Mendoj që, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike, për shkak se e gjithë Evropa është për momentin në një situatë jo të favorshme të sigurisë, me kërcënime të vazhdueshme dhe në veçanti për vendet e vogla si Republika e Kosovës, këto sfida janë madhore. Është në interes të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve që një Presidencë, do të thosha si institucion, se nuk po flas për individin, sepse gjithçka që kemi arritur, kemi arritur si ekip. E kam një ekip të jashtëzakonshëm, që ka punuar vazhdimisht që këto rezultate të arrihen, por është e domosdoshme që një Presidencë që ka ndërtuar relacione jashtëzakonisht të fuqishme me aleatët, që ka ndërtuar elementin kryesor të këtij relacioni, që është elementi i besimit, valuta kryesore në politikë të jashtme, por edhe të brendshme do të thosha, që të vazhdohet me punët e tilla, sepse nuk besoj që Kosova e ka luksin që të fillohet nga pika zero në ndërtimin e relacioneve të tilla, sidomos jo në këtë situatë të brishtë të sigurisë, me të cilën i gjithë kontinenti evropian po ballafaqohet. Kështu që, jam e bindur që ky vlerësim do të bëhet nga të gjithë, por megjithatë të presim edhe pak, dhe do të qartësohet gjithçka. Radio Evropa e Lirë: Ju keni garuar së bashku në listë me zotin Kurti. I përmendet më herët punët e mira të përbashkëta. Megjithatë, keni pasur edhe dallime me zotin Kurti gjatë këtyre viteve, kur ai ka qenë në udhëheqje, dhe ju keni qenë në Presidencë. Si i vlerësoni tashmë raportet me zotin Kurti, dhe me programin e qeverisë së tij? Vjosa Osmani: Unë mendoj që bashkëpunimi më i sinqertë është pikërisht ai që nuk i fsheh dallimet. Çka është më e rëndësishmja, siç e kam përmendur në çdo deklarim publik deri më sot, është që ne asnjëherë nuk kemi dalluar sa i përket qëllimit të përbashkët që dëshirojmë ta arrijmë, qoftë ajo sa i përket vendosjes së sovranitetit në çdo cep të vendit tonë, deri te fuqizimi i shtetit tonë në familjen e madhe euroatlantike. Synimet i kemi pasur të përbashkëta. Në synime nuk kemi dalluar asnjë milimetër. Nganjëherë kemi pasur dallime se si të arrijmë tek ato qëllime. Radio Evropa e Lirë: Cila kanë qenë pikat në të cilat ndoshta keni përplasje, ose keni pasur, dhe cilat janë pikat që konsideroni se i keni më të përbashkëta në mënyrën e udhëheqjes? Vjosa Osmani: Tashmë qytetarët e kanë parë, por është krejtësisht normale që edhe brenda një familjeje të njëjtë politike ato dallime rreth strategjive që përdoren, rreth metodave që përdoren, janë krejtësisht normale. Ajo që e kemi të përbashkët, siç e përmenda, është qëllimi ynë. Që të dy e dëshirojmë një Kosovë, e cila është e integruar në struktura euroatlantike, me prioritet, natyrisht, në NATO, për shkaqe sigurie, dhe po ashtu edhe në Bashkimin Evropian, ku siç e dini, pikërisht brenda mandatit tonë të përbashkët, kemi aplikuar dhe jam e bindur, sidomos nga takimet e fundit që i kam pasur, që ekziston rruga përpara edhe për këtë. Radio Evropa e Lirë: Çfarë sa i përket koordinimit me aleatët? Këtu keni qenë më e zëshme, lidhur me atë se duhet koordinim për veprimet që i bën Qeveria me aleatët ndërkombëtarë. Vjosa Osmani: Unë mendoj që është në interes të Kosovës që institucionet kryesore në vend nganjëherë të përdorin strategji të ndryshme, por me qëllime të përbashkëta. Ne nuk jemi i njëjti njeri. Secili njeri e ka mënyrën e vet se si flet, se si argumenton, si bën miq, si i mban ata miq. Me rëndësi është që sot Kosova ka miq. Sot Kosovës i hapet secila derë. Përgjatë mandatit tonë, Kosova për herë të parë është ftuar në samitin e NATO-s në Uashington. Nuk ka ndodhur kjo kurrë më herët në histori që të ftohet një shtet që as nuk është anëtar, as nuk është në [Partneritetin për Paqe], as nuk e ka statusin e partnerit, siç e kanë disa shtete. Pra, jam ftuar që të marr pjesë në samitin e NATO-s. Pastaj, me pjesëmarrje në institucione, qoftë evropiane, qoftë ndërkombëtare, me prezencë në Amerikë Latine, në Azi, në Afrikë e në çdo kontinent, diçka që nuk ka ekzistuar më parë. Rezultatet dhe frytet e jashtëzakonshme të kësaj pune tashmë po shihen. Pra, është krejtësisht normale, ne edhe pak a shumë dakordohemi që të kemi mënyra të ndryshme të kryerjes së punëve të përbashkëta. Pra, çka është me rëndësi, është që si rezultat i kësaj pune të përbashkët, sot Kosova e ka edhe sovranitetin, edhe i ka miqësitë. Sfidat ekzistojnë, unë nuk dua ta paraqes një situatë që është perfekte, por patjetër që sukseset i kemi të përbashkëta, dhe jam e bindur që me punën që po e bëjmë do të arrihen edhe suksese tjera shumë më të mëdha, sidomos sa i përket fuqizimit të aleancave.