Investim 4 miliardë euro”/ Projekti në Zvërnec, reagon kompania: Prona është privat

Investim 4 miliardë euro”/ Projekti në Zvërnec, reagon kompania: Prona është private

Kompania “Zvërnec South Adriatic Development” reagon pas polemikave: Investim mbi 4 miliardë euro, 10 mijë vende pune dhe angazhim për mbrojtjen e mjedisit

Pas debatit të krijuar në opinionin publik dhe reagimeve të shumta në rrjetet sociale lidhur me projektin e madh turistik që parashikohet të zhvillohet në zonën e Zvërnecit, kompania “Zvërnec South Adriatic Development” ka dalë me një reagim të gjatë zyrtar, duke sqaruar qëndrimin e saj dhe duke hedhur poshtë pretendimet që, sipas saj, synojnë të dëmtojnë imazhin e investimit.

Në deklaratën për mediat, kompania shpreh keqardhje për atë që e cilëson si një fushatë dezinformimi dhe përpjekje për të krijuar perceptime negative rreth një projekti që konsiderohet ndër më të mëdhenjtë në historinë e turizmit shqiptar. Sipas përfaqësuesve të saj, investimi është duke u zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar dhe në bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet shtetërore përgjegjëse.

Kompania bën të ditur se aktualisht ka nisur vetëm faza fillestare e projektit, ku përfshihet rrethimi i pronës private që zotëron ligjërisht, ndërsa puna për projektin përfundimtar arkitekturor dhe mjedisor vazhdon ende. Sipas deklaratës, objektivi është krijimi i një destinacioni turistik që të arrijë standardet më të larta ndërkombëtare dhe të pozicionojë Shqipërinë në hartën e investimeve më prestigjioze në Mesdhe.

Një nga pikat kryesore të reagimit lidhet me ndikimin ekonomik të projektit. Kompania thekson se investimi parashikohet të kapë vlerën e mbi 4 miliardë eurove dhe të ketë një ndikim të konsiderueshëm në ekonominë kombëtare, duke kontribuar me një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë me rreth 3 deri në 4 për qind gjatë pesë viteve të ardhshme.

Po ashtu, sipas kompanisë, projekti do të krijojë më shumë se 10 mijë vende pune direkte dhe indirekte, duke sjellë përfitime jo vetëm për zonën e Vlorës, por edhe për ekonominë shqiptare në tërësi. Përfaqësuesit e investimit nënvizojnë se zhvillimi i turizmit cilësor do të ndikojë në rritjen e të ardhurave, zhvillimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e mundësive ekonomike për komunitetin lokal.

Një pjesë e rëndësishme e deklaratës i kushtohet çështjes së mjedisit. Kompania siguron se ruajtja e biodiversitetit dhe mbrojtja e ekosistemit të zonës janë prioritete themelore të projektit. Sipas saj, prej më shumë se dy vitesh janë angazhuar ekspertë dhe studio ndërkombëtare të specializuara për kryerjen e studimeve mjedisore, rezultatet e të cilave do të bëhen publike sapo të përfundojnë.

Në reagim theksohet gjithashtu se trualli ku do të zhvillohet projekti është pronë private e blerë nga pronarët e ligjshëm, përmes procedurave të dokumentuara dhe të realizuara në sistemin bankar. Kompania nënvizon se çdo transaksion është i verifikueshëm dhe i mbështetur në dokumentacion zyrtar.

“Zvërnec South Adriatic Development” deklaron se të gjithë punonjësit aktualë dhe ata që do të angazhohen në të ardhmen do të punësohen në përputhje me legjislacionin shqiptar, me kontrata të rregullta pune dhe respektim të të drejtave të tyre.

Një tjetër element i zbuluar në deklaratë është bashkëpunimi me marka të njohura ndërkombëtare në sektorin e hotelerisë, gastronomisë dhe shërbimeve turistike. Sipas kompanisë, janë nënshkruar marrëveshje me disa prej emrave më prestigjiozë në botë, me synimin për ta kthyer projektin në një destinacion elitar dhe konkurrues në tregun global të turizmit.

Në fund të reagimit, kompania dënon çdo akt dhune ndaj pronës private dhe çdo përpjekje për të manipuluar opinionin publik me informacione që i konsideron të pavërteta. Ajo u bën thirrje qytetarëve të tregojnë durim deri në prezantimin zyrtar të projektit, duke garantuar se investimi do të jetë një model i zhvillimit të qëndrueshëm dhe një mundësi e madhe për ekonominë shqiptare.

Përfaqësuesit e kompanisë shprehen të bindur se projekti do të sjellë përfitime afatgjata për Shqipërinë dhe do ta shndërrojë zonën e Vlorës në një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në rajonin e Mesdheut.

Lini një Përgjigje