Pikat kryesore
- Përpara disa ditësh, në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump, me një vështirësi të dukshme në shqiptim, lexonte një listë me emra personalitetesh greke.
- Në krah të tij ishte Elpidophoros, kreu i Kishës Ortodokse Amerikane, i cili buzëqeshte teksa përshëndeste pjesëmarrësit që kishin ardhur në Shtëpinë e Bardhë për të festuar Ditën e Pavarësisë së Greqisë.
- Përveç batutave të zakonshme të Trump-it, fjalimi i tij i shkurtër ishte mbushur me fjalë të përgjithshme dhe “fakte” që jo domosdoshmërisht kanë lidhje me të vërtetat historike mbi Pavaresine e Greqise.
Përpara disa ditësh, në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump, me një vështirësi të dukshme në shqiptim, lexonte një listë me emra personalitetesh greke. Në krah të tij ishte Elpidophoros, kreu i Kishës Ortodokse Amerikane, i cili buzëqeshte teksa përshëndeste pjesëmarrësit që kishin ardhur në Shtëpinë e Bardhë për të festuar Ditën e Pavarësisë së Greqisë. Përveç batutave të zakonshme të Trump-it, fjalimi i tij i shkurtër ishte mbushur me fjalë të përgjithshme dhe “fakte” që jo domosdoshmërisht kanë lidhje me të vërtetat historike mbi Pavaresine e Greqise. Ndërkohë, mediat online dhe rrjetet sociale ishin tejmbushur me fjalë, shprehje lavdëruese dhe piktura të heronjve të “revolucionit” grek. Në të gjithë këtë turbullhane festive mund të lexoje shqiptarë të pezmatuar, të cilët, si ajo nusja te filmi i famshëm “14 vjeç dhëndër”, i hidhnin gjellës një grusht me kripë për inat të vjehrrës. I ngeshëm ndonjëherë edhe i lexoj komentet e egërsuara të palëve, të cilët përleshen në FB apo INSTA mbi identitetet e prijësve të “revolucionit” grek. Tek-tuk bëj edhe unë ndonjë shënim kur më kap ajo dalldia nacionaliste teksa lexoj gomarllëqe me okë që vijnë në përgjithësi nga komentuesit grekë. Megjithatë, do të doja të shtoja se komentuesit më të egër pro helenizmit historik janë shumë shqiptarë të helenizuar, të cilët jo vetëm këmbëngulin në falsifikime historike, por edhe shtojnë shpesh “ngjarje” të cilat, në një farë mënyre, i japin “të drejtë historike”. Në fakt, lufta për identitetin e heronjve të Greqisë, për mua, ka mbaruar prej kohësh, pasi në një farë mënyre jo vetëm që ata “heronjtë” e zgjodhën vetë krahun e tyre, por në kontekstin e kohës, kur ende nuk kishte një ide të qartë nacionaliste, sot, pas 250 vjetësh, nuk mund të gjykojmë mbi baza nacionale. E dyta, mund të thuhet se, përveç disa studimeve modeste dhe botimeve edhe më modeste, asnjë institucion shqiptar nuk ka hulumtuar, nxjerrë, mbrojtur dhe botuar fakte të pakontestueshme mbi identitetin shqiptar të shumë prej “heronjve” të Luftës Greke. Botime serioze, të cilave shumë nga komentuesit e sotëm do të mund t’u referoheshin në debate historike mungojne.