Pikat kryesore
- Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të përdorimit për pije të ujit nga rrjeti i ujësjellësit në Gostivar.
- Masa është marrë për shkak të dyshimeve të bazuara se uji mund të jetë i kontaminuar dhe i rrezikshëm për konsum.
- Ndërkohë, në Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar kanë kërkuar trajtim mjekësor mbi 1.200 qytetarë, të cilët janë paraqitur me ankesa për dhimbje barku dhe të vjella.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të përdorimit për pije të ujit nga rrjeti i ujësjellësit në Gostivar. Masa është marrë për shkak të dyshimeve të bazuara se uji mund të jetë i kontaminuar dhe i rrezikshëm për konsum. Ndërkohë, në Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar kanë kërkuar trajtim mjekësor mbi 1.200 qytetarë, të cilët janë paraqitur me ankesa për dhimbje barku dhe të vjella. Kontrolli i jashtëzakonshëm ka zbuluar se në gypin kryesor të ujësjellësit ishte vendosur pa leje dhe në mënyrë të paligjshme një pompë, e cila dërgonte drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar në sistemin e furnizimit të qytetit. “Pas njoftimit të marrë nga Prokurori Publik i Prokurorisë Themelore Publike në Gostivar për kryerjen e një inspektimi të jashtëzakonshëm në stacionin e pastrimit të ujit në fshatin Vrutok, Komuna e Gostivarit, me qëllim verifikimin e sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijshëm në këtë sistem furnizimi, si dhe pas ankesave të qytetarëve drejtuar Prokurorisë dhe kallëzimit nga MPB Gostivar lidhur me sigurinë dhe cilësinë e ujit, shërbimet inspektuese të AUV-së, së bashku me përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, Prokurorisë Publike dhe teknikës kriminalistike të MPB-së, mbrëmë zhvilluan një inspektim të jashtëzakonshëm. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, të pranishëm gjatë kontrollit, morën mostra të ujit për analiza laboratorike me qëllim përcaktimin e sigurisë së tij. Për të parandaluar një rrezik më të madh për popullatën e këtij rajoni, AUV vendosi ndalim të përkohshëm të përdorimit të ujit për pije deri në marrjen e rezultateve laboratorike që do të konfirmojnë sigurinë e tij”, thuhet në njoftimin e AUV-së.