Pikat kryesore
- Debati i hapur këto ditë për standardet e gjykimit të politikanëve, edhe pse i iniciuar fillimisht nga Meta, Veliaj, Berisha apo Beqja, nuk ka të bëjë ekskluzivisht me emrat e tyre.
- Gjyqet e mëdha të politikës janë prova e madhe e vërtetë për SPAK dhe GJKKO , të cilat janë të vetmit që po mbajnë ende në këmbë drejtësinë e re.
- Pa këto dy institucione, reforma në drejtësi tanimë do ishte arkivuar me kohë si eksperiment i dështuar, ndonëse rreziku i dështimit nuk ka kaluar.
Debati i hapur këto ditë për standardet e gjykimit të politikanëve, edhe pse i iniciuar fillimisht nga Meta, Veliaj, Berisha apo Beqja, nuk ka të bëjë ekskluzivisht me emrat e tyre. Gjyqet e mëdha të politikës janë prova e madhe e vërtetë për SPAK dhe GJKKO , të cilat janë të vetmit që po mbajnë ende në këmbë drejtësinë e re. Pa këto dy institucione, reforma në drejtësi tanimë do ishte arkivuar me kohë si eksperiment i dështuar, ndonëse rreziku i dështimit nuk ka kaluar. Ai është përpara dhe varet nga mënyra sesi do të mbahen këto procese, të cilat janë të krahasueshme me “Mani Pulite” në Itali, që çuan në shpërbërjen e klasës politike dhe rënien e Republikës së Parë. Për të shpëtuar atë që ka mbetur nga Reforma në Drejtësi nevojiten standarde në sallën e gjyqit. Suksesi i diskutueshëm i SPAK me hetimet në sferat e larta të politikës dhe dërgimi i këtyre çështjeve në gjykatë nuk do të thotë domosdoshmërisht fitore dhe aq më pak se më në fund kemi një drejtësi të pavarur. Dënimi i tyre pa standarde ligjore, duke shkelur të drejtat kushtetuese dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut do të ishte fundi i asaj që ka mbetur nga reforma në drejtësi, i SPAK dhe GJKKO, të cilat nëse do të vijonin gjyqet ndaj politikanëve siç kanë nisur këto ditë me Metën, Veliaj apo Beqjen do të konfirmoheshin si mekanizmat e gjuetisë së shtrigave në dorë të hakmarrjes së politikës apo edhe të ndërkombëtarëve. Për të shmangur kthimin pas, zgjidhja është e thjeshtë. Për të hequr çdo dyshim se vendimet për këto procese gjyqësore janë paracaktuar, zgjidhja është aty. Për të rrëzuar çdo akuzë se dosjet e Metës, Veliajt, Berishës, Beqjes apo Ahmetajt janë politike më shumë se penale, së pari duhet që trajtimi i këtyre të pandehurve të ndryshojë nga ai i deritanishmi në paraburgim. Nëse Meta është mbajtur 18 muaj në paraburgim, edhe pse në dukje arsyet e masës së sigurisë kanë rënë të gjitha, në kushte thuajse çnjerëzore të kohës së ajrimit apo trajtimit, GJKKO dje më kafazin e xhamit nuk bëri gjë tjetër veçse vijoi atë trajtim të padenjë, rezultatet e të cilit i pamë në fytyrën e ish- Presidentit. Nëse policët e burgjeve nuk dalin nga dhoma e spitalit kur Erion Veliaj bën analizën e kolono-skopisë, apo GJKKO mban në këmbë vendimin për izolimin e tij në kafazin e xhamit, natyrisht që teza për një vendim të paracaktuar merr më shumë hov. Për çfarë procesi të barabartë flasim nëse kafazi i xhamit as nuk lejon të dëgjohet çfarë thuhet në sallën e gjyqit dhe as çfarë thotë i akuzuari? Propozimi i djeshëm se mjafton një mikrofon për ta rregulluar këtë apo cinizmi se kushtet në GJKKO janë si hotel me pesë yje, tregojnë se çfarë fundi i parashkruar i pret të akuzuarit nëse vijohet me këtë mendësi. E njëjta gjykatë nuk ndjek gjithashtu të njëjtin standard. Justifikimet se kjo praktikë vijon prej vitesh u rrëzuan dje, kur gjykatësi i Ilir Beqjes vendosi që i pandehuri të dalë nga kafazi dhe të qëndroje në krah të avokatit të tij. Edhe kërkesa tjetër për transmetimin live të seancave në fjalë duhet pranuar, jo vetëm sepse nuk shkel asnjë ligj, por së pari për vetë besueshmërinë e gjykimit. Së dyti, SPAK është akuzuar se ka krijuar dosje pa prova, me urdhra politikë kundër opozitës, në disa raste për hakmarrje e karriera personale dhe në disa të tjera për baraspeshë politike. Këto akuza kanë ardhur së pari nga vetë të akuzuarit, nga Berisha, Meta Veliaj Beqaj e Ahmetaj dhe opinioni publik është i ndarë në këtë debat pa pasur një përgjigje të qartë, shteruese e mbi të gjitha të bazuar në prova ligjore që përballen në sallën e gjyqit me palën e akuzuar dhe mbrojtjen. Deri tani nuk e kemi parë këtë, por vetëm gjysmën e cila qëllon që është dhe gënjeshtra më e madhe. Kemi parë sesi studiot televizive janë shndërruar në gjyqe popullore në sajë të dosjeve të rrjedhura nga SPAK, në të cilat renditen akuzat dhe jepen pretenca pa e pasur palën e akuzuar përballë. Publiku ka interes ta shohë përballjen, sepse ai duhet ta dijë se çfarë ka ndodhur në këtë vend, kush dhe si i ka marrë vendimet për të. Është e drejtë e tij të infiormohet për çdo korrupsion e vjedhje nëse ka ndodhur, apo dhe çdo kundërshtim të politikanëve që vetëshpallen të pafajshëm. Të gjitha duhet të jenë në dritën e diellit. Tani SPAK e GJKKO kanë rastin ta bëjnë këtë, duke u përballur në gjykatë me palën tjetër. Dikush thotë se kjo e nxjerr gjyqin nga salla dhe e bën atë gjyq popullor apo spektakël televiziv. E kundërta është e vërtetë. Politikanët e akuzuar i kanë bërë çfarë akuzash kanë pasur për të bërë ndaj SPAK e GJKKO dhe asnjë politikan nuk është aq i aftë sa me retorikë e sulme politike të zhbëjë provat e akuzës, të cilat pasi kalojnë në sitën e gjykatës, marrin vlerën ligjore. Rrëzimi i djeshëm i kërkesave të Metës dhe Veliajt për heqjen e kafazit të xhamit, transmetimin live apo moshapjen e të gjitha provave janë shenja të këqija për rrjedhën e këtyre proceseve. Dalja para drejtësisë dhe dënimi i politikanëve që sot janë në bankën e të akuzuarve është në interesin publik vetëm kur ndodh sipas ligjit, me prova, në një proces hetimi e gjykimi të drejtë, të barabartë dhe transparent. E kundërta do të thotë që; minimalisht reforma në drejtësi është konceptuar gabim dhe maksimalisht është kapur nga duar të ndryshme dhe po përdoret. Kjo e dyta është me keq se drejtësia e vjetër, që nuk bënte asgjë.