Gjendet i vdekur në Prishtinë vëllai i ‘Unikkatilit’, policia e Kosovës jep detajet e para për ngjarjen

Prishtinë – Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prishtinën këtë të diel (2 mars), ku vëllai i reperit të njohur shqiptar Viktor Palokaj, i njohur me emrin artistik “Unikkatil”, është gjetur i pajetë në banesën e tij.

Sipas raportimeve të para nga mediat kosovare, viktima është Mentor Palokaj, i lindur në vitin 1983. Ai është gjetur i vdekur në lagjen ‘Arbëria’ të Prishtinës, ndërsa rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Policia e Kosovës, e cila përmes një deklarate ka konfirmuar vdekjen dhe ka bërë me dije se hetimet janë në vijim:

“Sot rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një person pa shenja jete në një banesë në lagjen Arbëria në Prishtinë. Viktimë në këtë rast është një mashkull (1983), vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Hetuesit policorë në koordinim me prokurorin po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, – tha zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Vlora Ahmeti.

Aktualisht, nuk dihen ende shkaqet e vdekjes së Mentor Palokajt, ndërsa pritet që institucionet përkatëse të zbardhin më tej rrethanat e kësaj ngjarjeje. Në orët në vijim, priten detaje të reja mbi rastin.

Lini një Përgjigje