
Aktori dhe investitori strategjik, Gazmend Paja, është paraqitur sërish në ambientet e SPAK mëngjesin e sotëm. Burime nga hetimi bëjnë me dije se prokurorët i kanë sekuestruar telefonin, por vetë Paja, duke ruajtur stilin e tij humoristik, reagoi me ironi pas daljes nga godina.
“Jo, ishim ulur me prokurorin në një kafe dhe pa dashje më mori celularin tim dhe ja solla të tijin dhe ja mora timin. Nuk ja di emrin, ishte rastësi”, u shpreh ai për gazetarët.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që ai paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa ende nuk ka një njoftim zyrtar për arsyen e thirrjes së tij.
INVESTITOR STRATEGJIK ME “DASHAMIRËSINË” E BANORËVE
Gaz Paja, i njohur kryesisht si aktor humori, u shpall investitor strategjik për një kompleks luksoz në Dhërmi. Në podcastin “Garage Lock”, ai deklaroi se ky status iu dha falë “dashamirësisë së banorëve”, të cilët i besuan atij gjetjen e një ndërtuesi për zhvillimin e tokave të tyre.
“Mu dha mundësia që me disa banorë të Dhërmiut të gjeja disa toka, kërkova ndihmën e disa miqve të mi privatë që t’i futeshim kësaj gjëje. Investitorin nuk e kam marrë unë, por kompanitë që plotësonin kushtet që kishte vënë qeveria. Jo më kot, në Tiranë sot paguan 8+1% taksën e shtetit çdo ndërtues për të klasifikuar se cili ndërtues është më i zoti. Pra, nuk i kam bërë unë, por kam thënë: ‘Kam një tokë, do ta marrësh?’ Nëse ai merr 9 lekë, unë marr 1. Sepse nuk e kam mundësinë për të zhvilluar një ndërtim dhe as nuk e marr vesh. Thjesht u përpoqa nga dashamirësia e publikut në terren që më thanë ‘ty ta besojmë se je djalë i mirë, na gjej një ndërtues’. Kështu ka lindur historia! Kur për këtë e ka të drejtën një qytetar i panjohur, pse mos ta kem unë? Kaq është kjo!” – tha aktori.
“MEDIA MË KA PENALIZUAR”
Paja gjithashtu u ankua se përmendja e emrit të tij në media ka ndikuar negativisht tek ai dhe biznesi i tij, duke i shkaktuar humbje financiare.
“Biles nga lajmet padrejtësisht jam penalizuar nga shteti, duke mu zvogëluar benefitet që pretendoja. E prapë them nuk më intereson. Letrat janë aty, të vijë kush të dojë dhe t’i kontrollojë dhe ta kuptojë se jam shumë i pastër në këtë aspekt,” – u shpreh ai.
Megjithatë, mbetet për t’u parë se çfarë do të zbulojnë hetimet dhe cili është roli i vërtetë i Pajës në këtë histori.