Dy dekada pas themelimit, Lëvizja Vetëvendosje duket se po përjeton edhe një dridhje politike, me anëtarë “të rebeluar”, siç vërejnë analistët.
Nga një lëvizje e pavarur opozitare, që nisi me protesta të fuqishme kundër kompromisit politik dhe ndërhyrjeve ndërkombëtare, ajo u shndërrua në partinë më të madhe në Kosovë.
Por sot, kur është në kulmin e pushtetit, përballet me sfida të brendshme e të jashtme: kritika për stilin e qeverisjes, dilema mbi raportet me aleatët ndërkombëtarë dhe, së fundi, sinjale përçarjeje brenda strukturave të saj.
Vetë partia nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar mbi ndarjet mes anëtarëve të saj.
E, ato u bënë të dukshme në fillim të kësaj jave, kur ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, nga radhët e Vetëvendosjes, dha dorëheqje, pas zgjedhjes së bashkëpartiakut të tij, Dimal Basha, në krye të Kuvendit të Kosovës.
Basha u kundërpërgjigj duke thënë vetëm se e “çmon kontributin e tij si aktivist në Lëvizjen Vetëvendosje”, por edhe punën e tij si ministër.
Ai tha se pakënaqësitë janë “të natyrshme”.
Ngjashëm, edhe udhëheqësi i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha shkurtimisht se e “falënderon ish-ministrin Liburn Aliu për kontributin”.
Përkundër përpjekjeve, Radio Evropa e Lirë nuk arriti të bjerë në kontakt me Aliun.
Njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se zgjedhja e Bashës si kryeparlamentar ka shërbyer vetëm si shkas për dorëheqjen e njërit prej themeluesve të Vetëvendosjes nga posti ministror.
Sipas tyre, pas këtij vendimi mund të fshihen edhe arsye të tjera që Aliu nuk i ka bërë publike.
Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, beson se dorëheqja e tij pasqyron mospajtimin me politikat e partisë, që e kanë shtyrë “drejt rebelimit”.
mirëpo, kjo nuk ka qenë arsyeja themelore; thjesht, momenti kur kupa është mbushur dhe nuk ka mbajtur më”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.
Edhe analisti Imer Mushkolaj, duke iu referuar burimeve brenda Vetëvendosjes, thotë se dorëheqja e Aliut nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e Bashës, por edhe me rezervat e tij ndaj disa vendimeve dhe drejtimeve të partisë.
“Është një shprehje e pakënaqësisë me mënyrën se si Vetëvendosje ka operuar deri më tash në qeverisje, ndonëse edhe zoti Aliu ka qenë pjesë e qeverisjes”, thotë Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai shpjegon se pakënaqësitë mund të lidhen me largimin e Kurtit nga ideologjia dhe parimet me të cilat e kishte ndërtuar Vetëvendosjen, si dhe me premtimet e pambajtura gjatë pushtetit.
“Këto nuk përmenden më si kushte ose si parime për të shkuar tutje.
Ndaj, konsideroj se pakënaqësitë për këto çështje, pavarësisht që mund të zbuten nga të qenët në pushtet, nuk mund të evitohen plotësisht”, thotë Mushkolaj.
Kjo nuk është hera e parë që Lëvizja Vetëvendosje përballet me dezertime të nivelit të lartë.
Në vitin 2018, ajo përballoi një periudhë të tensionuar politike dhe përplasje të brendshme, që tronditën strukturat e saj drejtuese.
Konfliktet kulmuan me dorëheqjen e disa prej figurave kryesore të partisë, duke përfshirë ish-kryetarin Visar Ymeri, ish-sekretarin organizativ, Dardan Molliqaj, nënkryetarin Dardan Sejdiu, si dhe zyrtarë të tjerë: Shpend Ahmeti, Ilir Deda, Frashër Krasniqi, Belgzim Kamberi e Aida Dërguti.
Shumica e tyre më pas krijuan Partinë Socialdemokrate, megjithëse disa nga ta u larguan më vonë edhe nga kjo parti.
Ymeri, Ahmeti dhe Sejdiu nuk ishim të qasshëm, ndërsa Dërguti nuk shprehu vullnet për të komentuar.
“Nuk është njëjtë kur krisin marrëdhëniet me dikë si Liburn Aliu, sikur me një deputet apo aktivist tjetër…
Liburni ka qenë dhe mbetet një person i rëndësishëm për Lëvizjen Vetëvendosje, për historikun e saj”, thotë ai.
Kamberi shton se partia ka mekanizma ‘pro forma’, apo formalë, për menaxhimin e mospajtimeve, për t’u mundësuar anëtarëve dhe strukturave drejtuese t’i shprehin ato dhe për të dhënë një pamje se debatet adresohen.
Megjithatë, thekson ai, diskutimet reale brenda partisë mbahen larg syrit të publikut.
“Ajo që ndodh zakonisht është se kur lideri [Kurti] e sheh të rrezikuar popullaritetin e tij personal, por edhe atë të Vetëvendosjes, nga ndonjë përplasje e brendshme ose mosmarrëveshje, atëherë mund të ndërmerren strategji të ndryshme.
Siç e kemi parë, të demonizohen, për shembull, personat që nuk pajtohen”, thotë Kamberi.
Paçarizi vlerëson se, aktualisht, nuk ka rrezik që ndonjë reagim i brendshëm të kërcënojë funksionimin e partisë apo pozicionin e liderit të saj, Albin Kurti.
“Ky grup politik është një ‘one man show’, ku gjithçka vendoset nga zoti Kurti”, thotë Paçarizi.
“Kushdo [nga Vetëvendosje] që i kundërvihet zotit Kurti, shkon në margjinat politike të Kosovës dhe dalëngadalë bëhet i parëndësishëm, në kuptimin e aktivitetit politik brenda çfarëdo partie politike”, shton ai.
Kurti u bë kryeministër për herë të parë në shkurt të vitit 2020, por Qeveria e tij u rrëzua shpejt, duke u bërë më jetëshkurtra pas luftës në Kosovë.
Konfliktet mbi menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe dialogun me Serbinë u përshkallëzuan deri në mocionin e mosbesimit të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës më 25 mars të atij viti, e që çoi në kolapsin e Qeverisë.
Më pak se një vit më vonë, në shkurt të vitit 2021, u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje arriti të sigurojë mbi 50 për qind të votave, duke rifituar fuqinë qeverisëse me një mandat të fortë popullor.
Vetëvendosje doli e para edhe në zgjedhjet e fundit, më 9 shkurt, ndonëse me përqindje më të vogël të votave: 42.3%.
Mushkolaj vlerëson se, tash për tash, Vetëvendosje pritet të jetë e kujdesshme para elektoratit të saj.
Edhe sipas Paçarizit, ky elektorat i Vetëvendosjes “beson në Kurtin”.
[Kurti] është një lloj udhëheqësi shpirtëror i atij grupi të njerëzve, të cilët e votojnë pa pasur nevojë për shpjegime apo për arsyetime se pse duhet ta votojnë.
Thjesht, janë të bindur që duhet ta votojnë dhe e votojnë”, thotë Paçarizi.
Kurti, prej muajsh, është kryeministër në detyrë, pasi Kuvendi i Kosovës, që do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë së re, nuk është konstituuar ende plotësisht.