Turizmi në “sitën” e tatimeve/ Gati plani për formalizimin e sektorit

Turizmi në “sitën” e tatimeve/ Gati plani për formalizimin e sektorit

Pikat kryesore

  • Në një moment kur pritet që në të gjithë vendin të hapet zyrtarisht sezoni turistik në vend administrate tatimore ka hartuar një plan të detajuar për formalizimin e sektorit të turizmit.
  • Në këtë plan përdorimi inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së avancuar për evidentimin e rasteve me risk të lartë.

Me afrimin e hapjes zyrtare të sezonit turistik në të gjithë vendin, Administrata Tatimore ka hartuar një plan të detajuar për formalizimin e sektorit të turizmit.

Plani Sektorial i Turizmit për vitin 2026 synon të vendosë nën monitorim të gjitha strukturat turistike, duke nisur nga hotelet, apartamentet me qira ditore, agroturizmat, e deri te stacionet e plazheve dhe aktivitetet ujore.

Në fokus të këtij plani me 8 pika është goditja e evazionit fiskal dhe formalizimi i plotë i sektorit, ndërsa një nga objektivat kryesore mbetet rritja e deklarimit të Tatimit në Burim, si edhe shtimi i të ardhurave të deklaruara nga platformat si Airbnb dhe Booking.

Në kuadër të zbatimit të këtij plani, Administrata Tatimore do të realizojë kontrolle të targetuara, të bazuara në analizën e riskut, duke kërkuar deklarim të saktë dhe të plotë të të ardhurave.

Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe deklarimit të punonjësve të angazhuar në këtë sektor, si dhe zbatimit të pagave indikative si element në vlerësimin e riskut tatimor.

Po ashtu, do të monitorohet zbatimi korrekt i faturimit elektronik për çdo shërbim të ofruar, ndërsa pjesë e planit është edhe përdorimi i inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së avancuar për evidentimin e rasteve me risk të lartë.

Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve që operojnë në sektorin e turizmit të marrin masat e nevojshme për të siguruar përputhshmërinë me legjislacionin tatimor në fuqi, me qëllim shmangien e masave administrative dhe penaliteteve që rrjedhin nga mosrespektimi i detyrimeve ligjore.

Lini një Përgjigje