Pikat kryesore
- Nikollë Rradaçi i cili aksidentoi për vdekje dy të miturit dhe plagosi rëndë një tjetër në Durrës, të dielën, u la në burg.
- Para togave të zeza ai dëshmoi se në mëngjes kishte dalë nga shtëpia për të marrë një vegël pune te një shok.
- Ai pranon se ka qenë nën efektin e alkoolit, pasi tregon se në mëngjes kishte konsumuar një gotë birrë.
Nikollë Rradaçi, i cili aksidentoi për vdekje dy të mitur dhe plagosi rëndë një tjetër në Durrës, është lënë në burg nga gjykata.
Para togave të zeza, ai ka dëshmuar se ditën e ngjarjes kishte dalë nga shtëpia për të marrë një vegël pune te një shok i tij. Ai pranoi se kishte konsumuar alkool, duke deklaruar se në mëngjes kishte pirë një gotë birrë.
Sipas dëshmisë së tij, gjatë lëvizjes me automjetin, një makinë tjetër i ka prerë rrugën dhe, në përpjekje për të shmangur përplasjen, ai ka devijuar duke përfunduar në trotuar, aty ku ndodheshin tre të mitur.
Megjithatë, Rradaçi pretendon se nuk ka qenë duke lëvizur me shpejtësi të lartë, por me rreth 30 km/h.
“Rreth orës 14:00 dola nga shtëpia me mjetin me targa AB 909 PC për të shkuar të merrja një vegël pune te një shoku im. Po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë, kur papritur nga një rrugicë lagjeje doli një automjet tjetër. Për të shmangur përplasjen, devijova dhe përfundova mbi trotuarin në anën e majtë të rrugës.
Pasi hipa mbi trotuar, u përfshiva në aksident me disa fëmijë që ndodheshin aty. Automjeti nuk arriti të ndalonte menjëherë dhe përparoi edhe disa metra më tej.
Më pas dola nga makina dhe shkova në një dyqan aty pranë, ku u kërkova punonjësve të njoftonin policinë pasi kisha bërë aksident. Qëndrova aty deri sa mbërriti policia dhe më shoqëroi në komisariat”, ka deklaruar ai.
I pyetur nga hetuesit për automjetin që pretendon se i preu rrugën, ai tha se nuk i kujtohej asnjë detaj.
Po ashtu, ai deklaroi se nuk i njihte fëmijët me të cilët u përfshi në aksident.
Nga testi i alkoolit rezultoi se niveli ishte 0.73 mg/l në matjen e parë dhe 0.70 mg/l në të dytën.
“Përpara se të drejtoja automjetin kam pirë një birrë në mëngjes”, është shprehur ai gjatë dëshmisë.
Në fund, Rradaçi deklaroi se nuk kishte asgjë tjetër për të shtuar dhe firmosi procesverbalin pa vërejtje.