Foshnja 2-muajshe në gjendje të rëndë në Pediatrinë e Korçës, dyshohet për kequshqyerje

Foshnja 2-muajshe në gjendje të rëndë në Pediatrinë e Korçës, dyshohet për kequshqyerje

Pikat kryesore

  • Në pavijonin e Pediatrisë në Spitali Rajonal Korçë ka mbërritur në gjendje shumë të rëndë shëndetësore një foshnjë rreth 2 muajshe.
  • Fillimisht ajo është trajtuar në spitalin e Korçës dhe më pas në Tiranë, nga ku mësohet se ka dalë në gjendje të stabilizuar shëndetësore.
  • Megjithatë, pas kthimit në banesë, gjendja e saj është përkeqësuar ndjeshëm.

Një foshnjë rreth dy muajshe ndodhet në gjendje shumë të rëndë shëndetësore në pavijonin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Korçës. Sipas burimeve konfidenciale nga policia dhe personeli mjekësor, e mitura është shtruar në spital në gjendje kritike, ndërsa dyshohet se përkeqësimi i gjendjes së saj mund të ketë ardhur si pasojë e kequshqyerjes.

Burime nga spitali bëjnë me dije se foshnja ka lindur para kohe, rreth 7-muajshe. Pas lindjes, ajo është trajtuar fillimisht në spitalin e Korçës dhe më pas është transferuar për mjekim të specializuar në Tiranë. Sipas informacioneve paraprake, e mitura kishte dalë nga spitali në gjendje të stabilizuar shëndetësore.

Megjithatë, pas rikthimit në banesë, gjendja e saj është përkeqësuar ndjeshëm. Burimet bëjnë të ditur se ekzistojnë dyshime se nëna mund të mos jetë kujdesur për ushqyerjen e foshnjës me gji, çka mund të ketë ndikuar në përkeqësimin e shpejtë të gjendjes shëndetësore të saj.

Ndërkohë, sipas të njëjtave burime, po verifikohet edhe mundësia që nëna të ketë probleme të shëndetit mendor. Hetimet pritet të sqarojnë nëse ajo ka shfaqur shqetësime psikologjike pas lindjes së fëmijës.

Aktualisht, efektivët e policisë ndodhen në ambientet e pavijonit të Pediatrisë, ndërsa mjekët po bëjnë përpjekje maksimale për stabilizimin dhe shpëtimin e jetës së foshnjës 2-muajshe. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.

Lini një Përgjigje