Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur publikimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale që do të zhvillohen më 12 tetor. Në mbledhjen e saj të 55-të, KQZ miratoi përmbajtjen dhe dizajnin e këtyre fletëvotimeve, të cilat do të përdoren për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe për kuvendet komunale.
Gjithashtu, KQZ ka certifikuar Listën e Votuesve për këto zgjedhje, e cila përfshin 2 milionë e 69 mijë e 99 votues, nga të cilët rreth 44 mijë ndodhen jashtë territorit të Kosovës. Në këtë proces zgjedhor, janë parashikuar gjithsej 2,571 vendvotime dhe 910 qendra votimi, duke shënuar një rritje në krahasim me zgjedhjet parlamentare të mëparshme, si në numrin e qendrave ashtu edhe në atë të vendvotimeve.