Pikat kryesore
- Vuçiç tha se për shkak të “gjuetisë së shtrigave” që u bë ndaj investitorit dhe ndërtimit, Serbia humbi një investim të vlefshëm prej së paku 750 milionë eurosh.
- Sot flitet keq për Serbinë, sepse disa thonë se ky ishte një projekt i keq.
- Projektit në Serbi iu kundërvunë protestuesit antiqeveritarë, opozita dhe ekspertët, të cilët mbështesin ruajtjen e statusit të monumentit kulturor dhe rindërtimin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm.
Në vendin ku gjendeshin ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të shkatërruara gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, kompania investuese “Affinity Partners” kishte planifikuar një kompleks banimi dhe biznesi me markën Trump. Vuçiç tha se për shkak të “gjuetisë së shtrigave” që u bë ndaj investitorit dhe ndërtimit, Serbia humbi një investim të vlefshëm prej së paku 750 milionë eurosh. “E humbëm një mundësi të madhe. Sot flitet keq për Serbinë, sepse disa thonë se ky ishte një projekt i keq. Një projekt më i vogël, ose më i dobët, që u bë me ngut në Shqipëri, ka marrë shumë vëmendje dhe do të ketë publicitet të shkëlqyer, sepse e gjithë familja Trump do ta lavdërojë”, tha Vuçiç, duke iu referuar planit të Kushnerit për investime në Ishullin e Sazanit në Shqipëri. Projektit në Serbi iu kundërvunë protestuesit antiqeveritarë, opozita dhe ekspertët, të cilët mbështesin ruajtjen e statusit të monumentit kulturor dhe rindërtimin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm. “Për shkak se projektet e mëdha duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe nga respekti për qytetarët e Serbisë dhe Beogradit, ne tërhiqemi nga aplikimi ynë dhe këtë herë qëndrojmë mënjanë”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë private investuese të Kushnerit, “Affinity Partners”, sipas gazetës Wall Street Journal. “Personalisht, do të kujdesem që të gjithë ata që kanë kontribuar në shkaktimin e këtij dëmi, të përgjigjen”, tha presidenti serb. Ai paralajmëroi se do të “paraqesë personalisht kallëzime penale” kundër “të gjithë atyre që morën pjesë në ‘gjuetinë e shtrigave’ dhe shkatërrimin e investimit”, duke i akuzuar për “dëm ekonomik ndaj Serbisë”. Ai i hodhi poshtë akuzat për korrupsion në këtë projekt. “Kurrë nuk ka pasur korrupsion, e as nuk ka qenë qëllimi i tij”, tha Vuçiç. Kompania e Kushnerit nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment, pas lajmit për tërheqjen e saj.