Pikat kryesore
- Çmimet e veshjeve në Shqipëri kanë hyrë në një fazë të re shtrenjtimi, pasi sipas të dhënave të Eurostat vitin e kaluar ato kaluan mesataren e BE-së.
- Çmimet e veshjeve në vendin tonë ishin 5,5 për qind më të larta se mesatarja e BE-së vitin e kaluar.
- Indeksi i çmimeve të veshjeve sipas fuqisë blerëse në vendin tonë shënoi 105.2 për qind në raport me mesataren BE=100.
Çmimet e veshjeve në Shqipëri kanë hyrë në një fazë të re shtrenjtimi, pasi sipas të dhënave të Eurostat vitin e kaluar ato kaluan mesataren e BE-së. Çmimet e veshjeve në vendin tonë ishin 5,5 për qind më të larta se mesatarja e BE-së vitin e kaluar. Indeksi i çmimeve të veshjeve sipas fuqisë blerëse në vendin tonë shënoi 105.2 për qind në raport me mesataren BE=100. Me këtë rritje Shqipëria renditet ndër 11 vendet e Europës me çmimet me të larta te veshjeve sipas fuqisë blerëse. Më të shtrenjta se Shqipëria janë vetëm vendet shumë të zhvilluara të tilla si Zvicra, Irlanda, Danimarka, Suedia, Finlanda, Norvegjia, etj. Një bluzë, një pallto që dikur konsideroheshin relativisht të lira në raport me Europën, tashmë po tejkalojnë çmimet e tregjeve më të zhvilluara. Shqipëria ka kaluar nga një nivel çmimesh dukshëm më i ulët drejt një konvergjence të shpejtë. Rreth katër vite më parë, indeksi për veshjet ishte afërsisht në nivelin 96.5% e mesatares se BE-së. Më pas, ato ranë edhe më poshtë në rreth 90.7 në vitin 2023. Në vitet pasuese, trendi u përmbys me shpejtësi. Indeksi u rikthye në 105.2 në 2025. Të dhënat tregojnë se brenda një viti Shqipëria ka kaluar nga një treg relativisht i lirë për veshjet në një treg ku çmimet jo vetëm janë barazuar me mesataren e BE-së, por e kanë tejkaluar atë. Sipas renditjes se Eurostat Shqipëria është nga më të shtrenjtat e Ballkanit dhe Europës për veshjet. Tradicionalisht, Mali i Zi ka pasur çmimet më të larta në rajon, ndërsa Maqedonia e Veriut më të ulëtat. Para 10 vitesh Shqipëria ka qenë në pozicion te favorshëm me rreth 50% te mesatares se BE, por në vitet e fundit është zhvendosur, duke u bërë më e shtrenjta në Rajon më 2025, por edhe nga më të shtrenjtat në Europë.