Pikat kryesore
- Çështja e ushtrimit të së drejtës së votës nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit përbën një nga debatet më të rëndësishme të zhvillimit demokratik të shtetit shqiptar.
- Në aspektin kushtetues, Neni 45 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton të drejtën universale të çdo shtetasi mbi 18 vjeç për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, pa dallim vendbanimi.
- Kjo dispozitë e vendos diasporën shqiptare si pjesë integrale të sovranitetit popullor dhe jo si kategori të veçantë jashtë sistemit politik.
Çështja e ushtrimit të së drejtës së votës nga shqiptarët që jetojnë jashtë vendit përbën një nga debatet më të rëndësishme të zhvillimit demokratik të shtetit shqiptar. Ajo nuk është thjesht një çështje teknike e administrimit të zgjedhjeve, por një problem thelbësor i demokracisë përfaqësuese, që lidhet me raportin midis të drejtës formale për të votuar dhe të drejtës substanciale për t’u përfaqësuar në institucionet e shtetit. Në aspektin kushtetues, Neni 45 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton të drejtën universale të çdo shtetasi mbi 18 vjeç për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, pa dallim vendbanimi. Kjo dispozitë e vendos diasporën shqiptare si pjesë integrale të sovranitetit popullor dhe jo si kategori të veçantë jashtë sistemit politik. Në këtë kuptim, emigrimi nuk e zhbën statusin kushtetues të qytetarit dhe as të drejtën e tij për pjesëmarrje politike. Megjithatë, realiteti i zbatimit të kësaj të drejte përmes Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë mbetet i paplotë. Ndryshimet e fundit kanë mundësuar votimin nga jashtë vendit dhe administrimin e tij nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke shënuar një hap të rëndësishëm procedural në zgjerimin e pjesëmarrjes demokratike. Por ky hap nuk është shoqëruar me një reformë të plotë të përfaqësimit politik. Në zgjedhjet e fundit, rreth 200 mijë shqiptarë jashtë vendit morën pjesë për herë të parë në procesin zgjedhor. Megjithatë, vota e tyre u integrua në qarqet ekzistuese brenda vendit, pa krijuar mandate të dedikuara dhe pa prodhuar përfaqësim të drejtpërdrejtë parlamentar të diasporës si subjekt i veçantë politik. Kjo situatë krijon një paradoks demokratik: pjesëmarrje e plotë në votim, por mungesë e përfaqësimit të strukturuar. Në këtë kuptim, e drejta e votës për diasporën mbetet e pjesshme në aspektin substancial, pasi nuk shoqërohet me mekanizmin e plotë të përkthimit të votës në përfaqësi politike. Demokracia përfaqësuese nuk matet vetëm me numrin e votuesve, por me aftësinë e sistemit për të reflektuar në mënyrë të drejtë dhe të drejtpërdrejtë vullnetin e tyre në institucionet shtetërore. Pikërisht për këtë arsye, reforma e Kodit Zgjedhor nuk është më një çështje opsionale politike, por një domosdoshmëri kushtetuese dhe demokratike. Një sistem zgjedhor që përfshin një trup të madh qytetarësh pa garantuar përfaqësim të drejtpërdrejtë për ta, mbetet i paplotë dhe i pjesshëm në kuptimin e demokracisë moderne. Në këtë proces, një parim themelor nuk mund të anashkalohet: partitë politike nuk mund të ndërmarrin ndryshime të Kodit Zgjedhor pa u konsultuar me diasporën. Çdo reformë që prek të drejtën e votës dhe përfaqësimit të shqiptarëve jashtë vendit duhet të jetë rezultat i një procesi të hapur, gjithëpërfshirës dhe institucional të konsultimit me vetë diasporën, si subjekt i drejtpërdrejtë i interesit kushtetues. Përjashtimi i saj nga ky proces do të përbënte një deficit të rëndësishëm demokratik. Diaspora shqiptare nuk është një instrument elektoral për përdorim politik dhe as një burim simbolik për fushata zgjedhore. Ajo përfaqëson një kapital të rëndësishëm kombëtar, të përbërë nga burime njerëzore të kualifikuara, me eksperiencë ndërkombëtare dhe me potencial të drejtpërdrejtë zhvillimor. Shqiptarët jashtë vendit janë të integruar në sisteme të avancuara institucionale, ekonomike dhe akademike, duke krijuar një rezervuar ekspertize që Shqipëria ende nuk e ka institucionalizuar në mënyrë të plotë. Ky kapital është veçanërisht i rëndësishëm në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, në përmirësimin e administratës publike dhe në rritjen e cilësisë së shërbimit diplomatik. Në shumë raste, diaspora funksionon si një rrjet informal ambasadorësh të Shqipërisë, të cilët përmes integrimit dhe suksesit të tyre profesional, kontribuojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në imazhin dhe reputacionin ndërkombëtar të vendit.