Pikat kryesore
- Pas projektit gjigant turistik Tavolara Bay në Sardenjë qëndrojnë disa nga emrat më të njohur të biznesit ndërkombëtar, fonde investimi dhe kompani të regjistruara në parajsa fiskale.
- Por ajo që po ndez debatin në Itali nuk janë vetëm emrat e investitorëve.
- Në qendër të polemikave është edhe një klauzolë në dokumentet e projektit që përmend mundësinë e një “Kontributi Qeveritar” nga shteti italian.
Pas projektit gjigant turistik Tavolara Bay në Sardenjë qëndrojnë disa nga emrat më të njohur të biznesit ndërkombëtar, fonde investimi dhe kompani të regjistruara në parajsa fiskale. Nga drejtues të grupit të birrës AB InBev, që zotëron markat Corona, Stella Artois dhe Budweiser, deri te ish-presidenti i Kraft dhe miliarderë brazilianë me interesa në hoteleri, pasuri të paluajtshme dhe financë globale. Por ajo që po ndez debatin në Itali nuk janë vetëm emrat e investitorëve. Në qendër të polemikave është edhe një klauzolë në dokumentet e projektit që përmend mundësinë e një “Kontributi Qeveritar” nga shteti italian. “Le të imagjinojmë një vend ku luksi dhe natyra bashkëjetojnë në harmoni”. Kjo është ideja që promovon Alberto Biancu, 39 vjeç, drejtuesi i projektit Tavolara Bay. Por pas luksit dhe natyrës fshihet edhe elementi vendimtar: kapitali. Projekti synon të shndërrojë një pjesë të bregdetit të Gallurës në veri të Sardenjës në një destinacion ekskluziv me vila që arrijnë deri në 13 mijë euro për metër katror, hotel me pesë yje, struktura turistike dhe plazhe private. Çfarë është Tavolara Bay? Tavolara Bay parashikohet të ndërtohet në territorin e komunës Loiri Porto San Paolo, përballë ishullit Tavolara dhe rreth 20 kilometra në jug të Porto Rotondo-s. Plani përfshin ndërtimin e një hoteli me pesë yje, 26 vilave luksoze, strukturave turistike dhe një fushe golfi me 18 gropa. Investimi llogaritet në qindra milionë euro dhe shtrihet në 120 hektarë tokë, ose rreth 1.2 milionë metra katrorë. Që në fillim projekti ka ndarë opinionin publik. Mbështetësit e konsiderojnë një mundësi zhvillimi ekonomik dhe turistik për zonën, ndërsa kundërshtarët e shohin si një ndërhyrje të rëndë në një nga zonat më të mbrojtura dhe më të bukura të bregdetit sard. Në këtë histori ekziston edhe një element tjetër që ka tërhequr vëmendje. Sipas burimeve lokale, këshilltari i turizmit në komunën Loiri Porto San Paolo, Riccardo Biancu, është vëllai i Alberto Biancu-t, drejtuesit të projektit. Autorët e investigimit theksojnë se nuk kanë mundur ta verifikojnë zyrtarisht këtë informacion. Vendimi i qeverisë që ndryshoi gjithçka Rajoni i Sardenjës dhe institucione të tjera kishin ngritur kundërshtime lidhur me përputhshmërinë e projektit me kufizimet peizazhistike të zonës. Megjithatë, promotorët e projektit përdorën procedurën e Zes Unica, e cila i jep qeverisë italiane kompetenca të posaçme për të përshpejtuar procedurat administrative dhe urbanistike. Për shkak të mendimeve të kundërta mes institucioneve, vendimi përfundimtar kaloi në Këshillin e Ministrave. Më 4 qershor, qeveria italiane autorizoi vazhdimin e procedurave për projektin. Për kritikët, ky vendim krijon një precedent që mund të dobësojë sistemin e mbrojtjes së brigjeve të Sardenjës. Për mbështetësit, bëhet fjalë për një procedurë të ligjshme që lejon realizimin e një investimi strategjik. Katër transaksione pas vendimit të Romës Menjëherë pas vendimit të qeverisë ndodhën katër operacione financiare në Luksemburg. Katër investitorë të rinj të huaj hynë në projekt, mes tyre një kompani financiare nga Ishujt e Virgjër Britanikë dhe një fond me bazë në Bahamas. Autorët e investigimit theksojnë se kjo mund të jetë rastësi, por fakti mbetet se hyrja e investitorëve të rinj ndodhi menjëherë pas dritës jeshile të dhënë nga qeveria italiane. Klauzola që ka ndezur debatin