Pikat kryesore
- Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur ditën e enjte rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.
- Megjithatë, ky vendim ende nuk është ekzekutuar, pasi Koka ndodhet jashtë vendit prej rreth katër muajsh e gjysmë.
- Për këtë çështje ka reaguar avokati i tij, Maksim Sota, i cili deklaroi se ish-ministri ka pasur probleme shëndetësore që gjatë kohës kur ndodhej në burg.
Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur ditën e enjte rikthimin në burg të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës. Megjithatë, ky vendim ende nuk është ekzekutuar, pasi Koka ndodhet jashtë vendit prej rreth katër muajsh e gjysmë. Për këtë çështje ka reaguar avokati i tij, Maksim Sota, i cili deklaroi se ish-ministri ka pasur probleme shëndetësore që gjatë kohës kur ndodhej në burg. Sipas tij, pas lirimit në muajin dhjetor, Koka është larguar jashtë Shqipërisë për të marrë trajtim dhe mjekim më të specializuar. Avokati shtoi gjithashtu se vendimi i Apelit të Posaçëm i është komunikuar Kokës dhe se ai do të rikthehet në vend sapo të përfundojë kurimin. Kujtojmë se më 16 prill 2025, Lefter Koka u dënua nga Shkalla e Parë me 2 vite burg për shpërdorim detyre në bashkëpunim, në kuadër të procedurave që lidhen me aferën e inceneratorit të Tiranës. Në atë kohë, gjykata vendosi edhe shuarjen e masës së sigurisë dhe lirimin e tij për këtë çështje me argumentin se dënimi ishte konsumuar gjatë paraburgimit. Megjithatë, dy vendime të tjera që lidhen me kontratat koncesionare të Elbasanit dhe Fierit penguan lirimin e menjëhershëm të tij. Koka u lirua përfundimisht në dhjetor me vendim të Gjykatës së Durrësit, pasi u vlerësua se kishte shlyer dënimet e dhëna ndaj tij. Gjatë shqyrtimit në Apel, prokuroria kërkoi përsëritjen e pjesshme të gjykimit për ish-ministrin, duke kërkuar rillogaritjen e masës së dënimit. Gjykata e Posaçme e Apelit pranoi kërkesën e prokurorit dhe vendosi të prishë pjesën e vendimit të Shkallës së Parë që lidhej me shuarjen e masës së sigurisë, prej nga duhet që Koka të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.