ADS dhe tundimi i shtetit programues/ na mëson Estonia për teknologjinë, konkurrencën dhe…

ADS dhe tundimi i shtetit programues/ na mëson Estonia për teknologjinë, konkurrencën dhe…

Pikat kryesore

  • Kur Estonia u godit nga sulmet masive kibernetike të vitit 2007, vendi u përball me një nga krizat më serioze të historisë së tij moderne.
  • Institucionet shtetërore, bankat, mediat dhe një pjesë e rëndësishme e infrastrukturës dixhitale u vunë nën presion nga sulme të koordinuara që synonin paralizimin e shërbimeve publike.
  • Për një shtet që kishte investuar fort në teknologji dhe në administratën elektronike, kjo ishte një sfidë që prekte drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.

Kur Estonia u godit nga sulmet masive kibernetike të vitit 2007, vendi u përball me një nga krizat më serioze të historisë së tij moderne. Institucionet shtetërore, bankat, mediat dhe një pjesë e rëndësishme e infrastrukturës dixhitale u vunë nën presion nga sulme të koordinuara që synonin paralizimin e shërbimeve publike. Për një shtet që kishte investuar fort në teknologji dhe në administratën elektronike, kjo ishte një sfidë që prekte drejtpërdrejt sigurinë kombëtare. Në teori politike dhe administrative, kur një shtet përballet me një krizë të tillë, reagimi më i zakonshëm është centralizimi. Qeveritë priren të marrin më shumë kontroll, të kufizojnë aktorët e jashtëm dhe të përqendrojnë kompetencat në duart e institucioneve shtetërore. Shumë ekspertë prisnin që Estonia të ndiqte pikërisht këtë rrugë: të zvogëlonte rolin e kompanive private, të krijonte struktura të mbyllura shtetërore dhe të ndërtonte një sistem teknologjik të kontrolluar pothuajse tërësisht nga administrata publike. Por Estonia bëri të kundërtën. Në vend që të shtetëzonte teknologjinë, ajo e hapi më shumë atë. Në vend që të përjashtonte sektorin privat, e afroi atë me shtetin. Në vend që të përqendronte gjithçka në një strukturë të vetme, ndërtoi sisteme të decentralizuara dhe standarde të hapura. Sot, pothuajse dy dekada më vonë, Estonia konsiderohet një nga historitë më të suksesshme të transformimit dixhital në botë. Ky shembull merr rëndësi të veçantë në Shqipëri pas vendimit të qeverisë për krijimin e kompanisë publike “Albanian Digital Solutions” (ADS). Sipas modelit të nga kryeministri Edi Rama, AKSHI do të vazhdojë të ketë rolin e drejtimit, rregullimit dhe monitorimit të cilësisë, ndërsa ADS do të marrë përsipër zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve të administratës publike. Kjo do të thotë se shteti shqiptar nuk po kufizohet më në hartimin e politikave, standardeve dhe kontrollit të cilësisë. Ai po hyn drejtpërdrejt në tregun e zhvillimit të softuerëve si prodhues. Pikërisht këtu lind pyetja kryesore: pse pothuajse asnjë nga vendet më të zhvilluara të botës nuk e ka zgjedhur këtë model? Në Shtetet e Bashkuara ekzistojnë struktura si US Digital Service dhe 18F. Në Britaninë e Madhe vepron Government Digital Service. Në Gjermani, Holandë dhe vendet nordike funksionojnë institucione të ngjashme. Të gjitha këto organizma kanë staf të specializuar, përcaktojnë standardet teknike, projektojnë arkitekturën e sistemeve dhe monitorojnë zbatimin e kontratave. Por asnjë prej tyre nuk është shndërruar në një kompani shtetërore që zhvillon shumicën e sistemeve informatike të qeverisë. Arsyeja është e thjeshtë. Teknologjia nuk është një sektor që funksionon mirë me logjikën tradicionale të ndërmarrjeve publike. Inovacioni lind nga konkurrenca. Ai ushqehet nga lëvizja e vazhdueshme e ideve, talenteve dhe investimeve. Nëse shteti bëhet prodhuesi kryesor i teknologjisë, ai fillon të konkurrojë me vetë tregun që duhet të zhvillojë. Një tjetër arsye lidhet me tregun e punës. Sot një programues apo arkitekt softuerësh në Tiranë nuk konkurron vetëm me kompanitë shqiptare. Ai konkurron dhe rekrutohet nga kompani në Londër, Amsterdam, Berlin, Stokholm apo Kaliforni. Puna në distancë dhe globalizimi i tregut të teknologjisë kanë krijuar një treg pune praktikisht ndërkombëtar. Kjo do të thotë se ADS nuk do të konkurrojë vetëm me kompanitë vendase për të tërhequr ekspertët më të mirë. Ajo do të konkurrojë me gjithë tregun global të teknologjisë. Pyetja është nëse një kompani publike mund të ofrojë të njëjtën fleksibilitet, të njëjtat paga dhe të njëjtat mundësi zhvillimi profesional që ofron ky treg ndërkombëtar. Nëse nuk mundet, rrezikon të mbetet pa talentet që i nevojiten. Nëse mundet, atëherë lind një pyetje tjetër: përse shteti duhet të hyjë në konkurrencë të drejtpërdrejtë me sektorin privat në një treg ku tashmë ekzistojnë kompani dhe profesionistë të specializuar?

Lini një Përgjigje