402 funksione për Patrullë të Përgjithshme, hapen aplikimet për pranim në Policinë e Shtetit

Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për pranim për 402 funksione të rolit bazë për të gjithë ata që kanë përfunduar arsimin e mesëm. “Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm janë miratuar 402 kuota të lira, nga këto 52 i takojnë konkurrentëve që janë shpallur fitues nga aplikimi i fundit dhe ishin në listë pritjeje, ndërsa 350 kuota i takojnë konkurrentëve të kësaj faze”, njoftoi policia. Aplikimet janë të hapura nga data 1 Shtatori deri më datë 21 Shtator. KRITERET PËR APLIKIM Çdo shtetas që plotëson kriteret e mëposhtme, ka të drejtë të aplikojë pranë drejtorive vendore të Policisë ku ai ka vendbanimin e përhershëm: •të jetë shtetas shqiptar; •të jetë jo më shumë se 30 vjeç; •të jetë me gjatësi jo më pak se 170 cm për meshkujt dhe jo më pak se 160 cm për femrat; •të ketë përfunduar arsimin e mesëm (nuk përjashtohen shtetasit që kanë përfunduar arsimin e lartë); •të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare apo të jetë larguar nga shërbimi civil; •të ketë zotësi të plotë për të vepruar; •të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën; •të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje; •të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B; •të plotësojë kriteret e besueshmërisë dhe të integritetit. DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM Shtetasit që shprehin dëshirën për t’u pranuar në Policinë e Shtetit, duhet të dorëzojnë pranë strukturave të Burimeve Njerëzore në drejtoritë vendore të Policisë, jo më vonë se data 21.09.2025, formularin e aplikimit të plotësuar, së bashku me dokumentacionin e mëposhtëm: •formularin e vetëdeklarimit për punësim në strukturat e Policisë; •formularin e dekriminalizimit; •fotokopje të kartës së identitetit; •diplomë të shoqëruar me listë notash, që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm (të noterizuara); •fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”; •certifikatë të gjendjes gjyqësore; •certifikatë familjare; •skedën mjekësore (formular tip); •vërtetim nga gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale; •vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale; •vërtetim nga SPAK, që nuk është objekt hetimi; •mandat pagesën e tarifës së aplikimit, i cili merret në drejtorinë vendore të Policisë. FAZAT QE KALOJNË APLIKANTËT PËR PRANIM Për pranimin në polici, aplikantët duhet të kalojnë me sukses sipas rendit zbritës fazat e mëposhtme: a)aplikimi; b)verifikimi dhe shqyrtimi i dokumentacionit; c)kontrolli shëndetësor; d)testimi me shkrim; e)testimi fizik, f)intervista me gojë; g)verifikimi i besueshmërisë dhe i integritetit, dhe marrja e gjurmëve të gishtave. Aplikanti skualifikohet dhe ndërpret procesin e konkurrimit në çdo faze të tij nëse: a)nuk aplikon brenda afatit të përcaktuar; b)nuk dorëzon në kohën e aplikimit dokumentacionin e kërkuar; c)nuk plotëson kriteret e përcaktuara për t’u pranuar si aplikant; d)ka deklaruar të dhëna të rreme apo ka paraqitur dokumente të falsifikuara; e)rezulton përdorues droge; f)rezulton të ketë varësi nga alkooli; g)nuk kalon kontrollin shëndetësor; h)nuk paraqitet në kohën e caktuar në njërën nga fazat e konkurrimit; i)nuk vlerësohet me të paktën 50% të pikëve në secilën prej fazave të konkurrimit. ANKIMIMI Çdo aplikant ka të drejtën e ankimit për çdo fazë të procesit. Ankimimi behet nëpërmjet e-mailit, në adresën burimet.njerezore@asp.gov.al, brenda 2 ditëve nga data e njoftimit për secilën faze të procesit. Komisioni i Ankimimit njofton aplikantin brenda 5 ditësh punë, në lidhje me vendimin e marrë. KU MUND TË GJENDEN FORMULARËT PËR APLIKIM? Formulari i aplikimit, formulari i vetëdeklarimit, formulari i dekriminalizimit dhe skeda mjekësore shkarkohen nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit ose merren fizikisht pranë drejtorive vendore të Policisë. Dokumentacioni i plotësuar dorëzohet pranë drejtorive vendore të Policisë, ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm, brenda datës 21.09.2025. SA ZGJAT TRAJNIMI? Aplikantët të cilët kalojnë me sukses të gjitha proceset e pranimit, shpallen fitues nëse janë të renditur brenda kuotave të shpallura për konkurrim. Aplikantët fitues i nënshtrohen trajnimit në Kolegjin Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë për një periudhe 9-mujore (6 muaj trajnim teorik dhe 3 muaj praktikë pranë strukturave policore). A ËSHTË I GARANTUAR PUNËSIMI? Çdo aplikant i cili përfundon trajnimin pranë Kolegjit Profesional të Formimit Policor, në Akademinë e Sigurisë, emërohet menjëherë pranë strukturave policore ku ka kryer aplikimin.

Lini një Përgjigje