Një situatë e rëndë tensioni është regjistruar në shtëpinë e Big Brother VIP Albania 5, ku një debat i ashpër mes disa banorëve ka degraduar në prag të një konflikti fizik.
Sipas pamjeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale, përplasja verbale ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa Iliri është parë dukshëm i tensionuar. Në momente kritike, banorë të tjerë kanë ndërhyrë duke e mbajtur atë, për të shmangur një goditje fizike dhe përshkallëzimin e situatës.
Në kulmin e debatit, transmetimi live u ul për disa çaste, veprim që zakonisht ndërmerret nga produksioni në raste tensionesh ekstreme apo situatash që mund të shkelin rregullat e formatit. Pas rikthimit të transmetimit, atmosfera në shtëpi u duk më e qetë, megjithatë tensioni mes banorëve mbeti i pranishëm.
Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga produksioni lidhur me ngjarjen dhe as njoftime për masa disiplinore. Ndërkohë, videoja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet, ku ndjekësit e formatit kërkojnë sqarime dhe ndërhyrje të forta nëse rregullat e lojës janë shkelur.