Pikat kryesore
- Fjala është për Piergabriele Papadia de Bottini di Sant’Agnese, ish-ambasador i Italisë në Tashkent të Uzbekistanit i cili e mori drejtimin e kësaj ambasade më 2 dhjetor të vitit 2024.
- Tashmë të dy janë nën hetim nga prokuroria e Romës për favorizim të emigracionit të paligjshëm dhe korrupsion në kundërshtim me detyrën zyrtare.
- Dje, efektivët e Guardia di Finanza zbatuan masat e sigurisë të lëshuara nga gjykatësja e Romës, Annalisa Marzano.
Një ish-ambasador italian është arrestuar nga autoritetet në Itali, pasi dyshohet se kishte ngritur një skemë të paligjshme për lëshimin e vizave Schengen ndaj qytetarëve rusë kundrejt pagesave që arrinin deri në 16 mijë euro për person . Fjala është për Piergabriele Papadia de Bottini di Sant’Agnese, ish-ambasador i Italisë në Tashkent të Uzbekistanit i cili e mori drejtimin e kësaj ambasade më 2 dhjetor të vitit 2024. E gjithashtu, atëhere ai mori edhe “menaxhimin e zyrës së vizave”, siç tregoi për hetuesit e Njësisë së Policisë Ekonomiko-Financiare të Guardia di Finanza në Romë, Michel, përgjegjësi i zyrës së vizave para ardhjes së ambasadorit. “Rreth mesit të muajit ai urdhëroi futjen në zyrë të Tatiana Tarakanova”, një gruaje ruse 53-vjeçare me shtetësi italiane dhe rezidente në Bullgari, e cila kishte bashkëpunuar më parë me Papadian gjatë viteve të tij në konsullatën italiane në Moskë. Tashmë të dy janë nën hetim nga prokuroria e Romës për favorizim të emigracionit të paligjshëm dhe korrupsion në kundërshtim me detyrën zyrtare. Dje, efektivët e Guardia di Finanza zbatuan masat e sigurisë të lëshuara nga gjykatësja e Romës, Annalisa Marzano. Papadia u arrestua në Romë dhe u dërgua në burg në pritje të përfundimit të hetimeve. Ai ishte shkarkuar nga detyra që në dhjetor 2025. Sipas hetuesve, Papadia me ndihmën e bashkëpunëtores së tij, kishte ngritur një sistem për lëshimin e vizave turistike afatgjata (nga një deri në tre vjet) për qytetarët rusë, edhe kur ata nuk plotësonin kriteret e kërkuara nga rregullat e hyrjes në zonën Schengen . Gjithçka bëhej kundrejt pagesave shumë të larta, nga 4 mijë deri në 16 mijë euro për person. Ndërkohë që tarifat zyrtare për aplikimet variojnë nga 45 deri në 60 euro. Përveç kësaj, Papadia dhe asistentja e tij kishin krijuar edhe një “ tarifë VIP ”. Sistemi ishte i mirë-organizuar. Ai përfshinte tre agjenci turistike me bazë në Moskë: Happy Travel , Visa4you dhe Park Lane , të gjitha në të njëjtën adresë. Përmes këtyre agjencive, të paktën 95 qytetarë rusë hynë në Itali pa plotësuar kushtet e nevojshme për vizë, si p.sh. mungesa e rezidencës në zonën konsullore (në këtë rast Uzbekistani), dokumente të firmosura ndryshe nga firma në pasaportë ose pa u paraqitur fizikisht në konsullatë. Sipas hetimeve, disa kërkesa dërgoheshin edhe përmes Telegram-it dhe quheshin “ jashtë liste ”. Hetimi nisi pas një inspektimi të Inspektoratit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme italiane më 23 korrik 2025. “Praktikat e vizave të kontrolluara gjatë inspektimit tregonin shkelje të dukshme që lidhen drejtpërdrejt me kreun e misionit Papadia, i cili vendoste shënimin ‘ok’ dhe inicialet e tij mbi dokumente” , shkruajnë hetuesit. Nga 92 praktika të kontrolluara, në 81 raste mungonte emri i qytetarëve rusë në regjistrin e hyrjeve të ambasadës, çka nënkupton se ata nuk ishin paraqitur kurrë personalisht. Për këtë shërbenin agjencitë. Njëra prej tyre, Visa Concord Travel , “ e njohur nga Papadia që prej vitit 2014 ”, sipas hetuesve, kishte transferuar mes janarit dhe qershorit 2025 rreth 23 mijë e 600 euro në një llogari bankare bullgare të Tarakanova-s, të justifikuara fiktivisht si “ hua me interes ”. Inspektimi ministror ishte fillimi i fundit për këtë skemë. Hetuesit rindërtuan të gjithë mekanizmin, përfshirë vendet ku kishin qëndruar në Itali 95 përfituesit e parë të vizave të lëshuara në kundërshtim me rregullat. Gjatë një takimi me inspektorët, Papadia “ belbëzonte dhe nuk arrinte të fliste ”, tregoi Michel. “Edhe Esposto (zëvendësi i emëruar nga Papadia) ishte shumë i shqetësuar dhe më tha se Papadia kishte bërë gjithçka për përfitime financiare.” Pikërisht zëvendësi Marco Esposto, duke regjistruar një bisedë me shefin e tij gjatë inspektimit, do ta fuste Papadian në telashe. Esposto, i emëruar “ pa asnjë kompetencë ”, pasi kuptoi mënyrën e lirshme të lëshimit të vizave, kishte frikë nga pasojat disiplinore dhe e pyeti shefin: “ Më thuaj pse e bëre? E bëre për para? Sepse nëse kjo është arsyeja, atëherë ti do të paguash shkollën e fëmijëve të mi deri në dhjetor. ” Papadia iu përgjigj: “ Më duheshin .” Për hetuesit, kjo përgjigje përbën një pranim fajësie që i shtohet provave të tjera të mbledhura. Papadia u mbrojt duke thënë: “ Regjistrimi duhet parë në kontekst. Ndodhi gjatë inspektimit, ndërsa në dhomën ngjitur ndodheshin inspektorët. Isha në gjendje të fortë shqetësimi dhe dobësie. U përpoqa ta qetësoja. ” Masa e arrestit u vendos edhe për shkak të rrezikut të arratisjes, pasi i dyshuari ishte interesuar për mundësinë e marrjes së një vize për në Rusi. Tani prokurorët dhe Guardia di Finanza po vazhdojnë hetimet mbi rreth 400 praktika vizash dhe mbi pasurinë e Papadias, e vlerësuar rreth 3 milionë euro, për të cilën ai pretendon se vjen nga një trashëgimi. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo! OBSH: Situata me Hantavirusin është serioze, por rreziku për publikun mbetet i ulët! Vrasja e Rexhep Ismailit/ Kush është Viktor Ruçi , i njohur si Tori Ruçi, që u bë shkak për konfliktin “Çelësat që nuk hapin më asnjë derë”/ Artisti shqiptar Milot befason Bienalen e Venecias