Është zhvilluar këtë të mërkurë tryeza për energjinë me pjesëmarrjen e të gjitha aktorëve lidhur me ndryshimet ligjore të propozuara për përafrimin e legjislacionit të sektorit me atë të Bashkimit Europian. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi i pranishëm në tryezën për energjinë, tha se takimi i sotëm është vlerësuar që të jetë pak më e gjerë dhe me përfshirjen edhe të partnerëve, por siç e thashë edhe të Kuvendit, Komisionit përgjegjës për Energjinë, por edhe institucioneve tjera, si Enti Rregullator i Energjisë, kompanitë publike, por edhe kompanitë private. “E vlerësojmë si një hap shumë të rëndësishëm, edhe konsulentët do të flasin në fund përsa i përket të gjitha komenteve që janë marrë, në mënyrë që procesi të jetë sa më transparent dhe sa më gjithëpërfshirës”, u shpreh ai. Fjala e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, tryeza për energjinë Në vijim të procesit të rëndësishëm të hartimit dhe draftimit të ligjit të ri të sektorit të energjisë elektrike, kjo nismë përfaqëson një nga elementet kryesore të reformës së sektorit të energjisë elektrike. Ky proces, i hartimit të ligjit të ri të sektorit, që në fakt ju e shikoni këtu në termin “Për disa shtesa dhe ndryshime”, por besoj që për shkak të volumit të madh të ndryshimeve, patjetër do vijë si një nismë e re ligjore, vjen në kuadër të përafrimit të legjislacionit kombëtar me të drejtën e Bashkimit Europian dhe përmbushjen e detyrimeve tona në kuadër të kapitullit 15 të Bashkimit Europian të Energjisë. Patjetër që edhe në kushtet e sotme, të gjitha masave që ka marrë Qeveria Shqiptare për integrimin europian, hapjen e të gjithë kapitujve dhe punën shumë voluminoze që çdo institucion i qeverisë shqiptare po ndërmerr në kuadër të integrimit europian, edhe ky ligj vjen si një hap shumë i rëndësishëm. Ai nuk synon vetëm përditësimin e kuadrit ekzistues ligjor të sektorit të energjisë elektrike, por mbi të gjitha ka qëllimin e vendosjes së themeleve për një model të ri zhvillimi të funksionimit të tregut të energjisë elektrike në vendin tonë. Një model më i hapur, më konkurrues, më fleksibël dhe më të integruar në tregjet rajonale. Kjo është tryeza e dytë që bëjmë. Një tryezë e mëparshme është bërë një tryezë më teknike. Tryeza e sotme është vlerësuar që të jetë pak më e gjerë dhe me përfshirjen edhe të partnerëve, por siç e thashë edhe të Kuvendit, Komisionit përgjegjës për Energjinë, por edhe institucioneve tjera, si Enti Rregullator i Energjisë, kompanitë publike, por edhe kompanitë private. E vlerësojmë si një hap shumë të rëndësishëm, edhe konsulentët do të flasin në fund përsa i përket të gjitha komenteve që janë marrë, në mënyrë që procesi të jetë sa më transparent dhe sa më gjithëpërfshirës. Ndërhyrjet që sjell ky ligj, në fakt janë të thella dhe janë një element pothuajse rikonceptim i gjithë funksionimit të tregut të energjisë elektrike në Shqipëri. Së pari, ky ligj sjell një riformatim të modelit të tregut të energjisë elektrike. Largohemi dhe tentojmë të largohemi sa më shumë nga një model i centralizuar, ku aktorët shtetërorë kanë patur vendimmarrjen më të madhe, drejt një tregu më të liberalizuar, ku shteti nuk ndërhyn më aq shumë sa jemi mësuar me modelin ekzistues dhe bazë e saj të jetë konkurrenca. Dhe në fakt kushtet aktuale të tregut për ligjin, kur është miratuar ligji aktual në fuqi në vitin 2015, tregu i energjisë elektrike ishte shumë më i ndryshëm nga tregu që kemi sot. Pra, prodhuesit e energjisë elektrike ishin kryesisht hidrikë, ishin kryesisht me kontrata koncesionare, me blerje energjie nga shteti. Ndërkohë, tregu i energjisë sot është në një fazë komplet tjetër. Sot tregut i janë shtuar burime të reja energjie, i janë shtuar burime kryesisht fotovoltaike, që përbëjnë rreth 10% të prodhimit të brendshëm të energjisë elektrike. Janë shtuar konsumatorët aktiv, kemi rreth 400 mega vetëprodhues, kemi dhe instrumente të reja, që deri para pak vitesh as që mendoheshin, siç është krijimi, themelimi dhe funksionimi i ALPEX-it. Siç e thashë, në këtë model ne riorientohemi drejt garantimit të rregullave të lojës, drejt një konkurrence të ndershme, midis të gjithë aktorëve të përfshirë në proces. Një nga risitë e këtij ligji, është përfshirja e koncepteve të reja që madje për disa do thoja shumë të dëshiruara nga aktorët e kësaj tavoline, siç është depozitimi i energjisë, energy storage. Sot depozitimi i energjisë hyn tek kërkesat më madhore, që kanë prodhuesit e energjisë, kryesisht dhe të energjisë së rinovueshme. Cili është problemi i energjisë së rinovueshme? Është shumë i mirë, por është jo e vazhdueshme. Krijimi i bazës ligjore për pasjen e storage apo depozitimit, është një hap i ri përpara drejt qëndrueshmërisë së tyre. Por jo vetëm kaq. Kemi koncepte të reja, si klientët aktivë. Unë e thashë, sot është realitet që kemi vetëprodhues pothuajse 400 mega. Jemi vendi i parë në rajon përsa i përket vetëprodhuesve. Por po përpiqemi që të krijojmë klientët që të jenë sa më aktivë përsa i përket energjisë së tyre të prodhuar, si me anë të koncepteve, si agregimi, komunitetet e energjisë, komunitetet energjetike, por dhe siç e thashë, mekanizma fleksibiliteti përsa i përket kapaciteteve gjeneruese. Një ndër shtyllat kryesore të këtij ligji është fuqizimi i konsumatorit. Për herë të parë konsumatori vendoset realisht në qendër të sistemit energjetik. Ai nuk është vetëm një përfitues shërbimi, por mund të jetë edhe prodhues. Sot është realitet. Ne kemi klientë që janë prodhues dhe në këtë kuptim, duke përafruar direktivën e re të Bashkimit Europian, edhe klienti merr rolin proaktiv përsa i përket prodhimit të energjisë. Përmes konceptit të klientit aktiv, komuniteteve energjetike dhe kontratave me çmime dinamike, krijohen mundësi reale për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe bizneseve në treg dhe për liberalizimin apo demokratizimin e sektorit të energjisë elektrike. Po ashtu, projektligji krijon bazën për zhvillimin e tregjeve të organizuara të energjisë elektrike. Tregu i ditës në avancë, tregu brenda ditës, tregu i balancimit dhe tregu i derivative përbëjnë mekanizma thelbësorë për funksionimin modern të sektorit. Këto tregje mundësojnë formimin transparent të çmimeve, pra optimizimin e prodhimit dhe konsumit, si dhe menaxhimin e riskut nga pjesëmarrësit e tregut. Një vëmendje shumë e veçantë i është kushtuar fleksibilitetit dhe balancimit të sistemit. Ne e dimë që sot, si në të gjitha vendet, ku tashmë ka hyrë në masë prodhimi i energjisë së rinovueshme, fleksibiliteti dhe balancimi i sistemit merr një vëmendje shumë të madhe dhe pikërisht projektligji i adreson këto nevoja përmes rregullimit të energjisë dhe kapacitetit të transmetimit, sigurimit të kapaciteteve rezervë dhe mekanizmave si ridispeçerimi, duke garantuar stabilitetin e sistemit në çdo moment.
Tryeza për energjinë/ Ministri Karakaçi: Rikonceptim i gjithë funksionimit të tregut të…